Ilustrim

Veprimet e pesë të dyshuarve për vepra që lidhen me terrorizëm sipas dosjes së Prokurorisë Speciale

L. B., E. B., B. V., A.S . dhe A. H. janë sjellë sot para gjykatës nën dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në veprave penale terroriste.

Prokuroria Speciale e Kosovës para gjykatës kishte dorëzuar kërkesën që të njëjtëve t`iu caktohet masa e paraburgimit.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca dëgjimore ku për pak qaste pritet që Departamenti Special në Gjykatën e Prishtinës të vendosë për kërkesën e prokurorisë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com të pandehurit dyshohen se kanë shpërndarë mesazhe për publikun me qëllim të shtytjes në kryerjen e akteve terroriste, bëhet fjalë për periudhë të pacaktuar kohore.

Të njëjtit janë fotografuar dhe kanë bërë video-incizime në oborrin dhe rrethinën e shtëpisë së të dyshuarve B. V. dhe L. B., që të gjithë sipas dosjes së Prokurorisë kanë qenë të veshur me uniforma dhe veshje të përshtatura si ato të luftëtarëve të ISIS-it.

Dosja e Prokurorisë thekson se që të gjithë janë fotografuar duke gjuajtur me armë të llojeve të ndryshme e duke përdorur simbolet e organizatës ISIS.

Tutje Prokuroria pretendon se të dyshuarit më pas këto foto e video-incizime i kanë shpërndarë në rrjete sociale.

Sipas Prokurorisë ata po dyshohen se me këto veprime ata kanë përçuar mesazhe shtytëse edhe për personat e tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Gjatë bastisjes në shtëpitë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve, janë gjetur revole, AK-47 dhe armë me gaz.

Ndër të tjera gjatë bastisjes ishte gjetur edhe një maskë me logo të organizatës terroriste ISIS.

Me këto veprime sipas Prokurorisë Speciale të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale të shtytjes për kryerjen e veprave terroriste si dhe posedim të pa autorizuar të armëve.

Prokuroria Speciale kërkon paraburgimin e pesë të dyshuarve për vepra që lidhen me terrorizmin