Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Vendimi i Supremes për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Gjykata Supreme e Kosovës ka prishur vendimin e Gjykatës se Pejës qe kishte dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës se parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Në rigjykim të caktohet ekspert i lëmisë të telekomunikacionit i cili do te jep sqarime të plota dhe të hollësishme përkitazi me faktin se cilin territor e mbulon antena e Zllapekut dhe cilin territor e mbulon antena e Strellcit dhe po ashtu cila nga këto antena mbulon pjesën ku është gjetur tani viktima përkatësisht “Bjeshkët e Strellcit” me konkretsisht “Kroni i Lajthisë” ” thuhet në aktvendim të Gjykatës Supreme.

Naser Pajazitaj akuzohet se e kishte marrë Donjeta Pajazitajn me veturë përderisa ajo ishte duke shkuar në punë dhe e kishte dërguar te vendi “Kroi i Lajthisë”, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Ishte data 9 nëntor 2015 kur 24 vjeçarja Donjeta Pajazitaj për herë të fundit ishte nisur për në punë.

Kjo çështje ishte gjykuar fillimisht nga kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, ku Pajazitaj ishte liruar nga akuza.

Me rastin e rikthimit në rigjykim trupi gjykues me kryetar Kreshnik Radoniqi kishte shpallur fajtor Naser Pajazitaj duke e dënuar me burgim të përjetshëm.