Prapa grilave - Ilustrim
Vendimi i gjykatës: Polici pranoi fajësinë për sulm seksual ndaj të miturës
Zyrtari policor R. Sh., i cili po akuzohej për sulm ndaj një të miture e cila konsiderohej me zhvillim të vonshëm mendor është dënuar me 6 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Gjilan.
KALLXO.com ka raportuar në lidhje me dënimin e policit ndërsa në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të gjykatës thuhet edhe se polici kishte pranuar fajësinë për veprën penale ndaj të miturës.
Gjykata deri te vendimi erdhi nga rrethana lehtësuese si pranimi i fajësisë nga ana policit, kërkim falja ndaj te miturës, por edhe zotimi se i njëjti nuk do të kryej më ndonjë vepër penale.
Në rrethanë rënduese gjykata ka vlerësuar moshën e viktimës, mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe gjendjen shëndetësore të viktimës.
Vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit e ka kundërshtuar prokuroria duke thënë se dënimi minimal për këtë vepër penale te ushtruar ndaj një të mitur është minimum 15 vite burg.
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi.
KALLXO.com pati raportuar se polici i njësisë së trafikut R. Sh., nga periudha nëntor 2020- prill 2021 kishte kryer veprën penale të sulmit seksual ndaj një të miture me zhvillim të vonshëm mendor.
E gjitha ngjarja u zbulua nga një zyrtare komunale e cila më pas rastin e kishte drejtuar në prokurori e që kjo e fundit autorizoi IPK-në që të ndërmarrë hetimet të cilat përfunduan me arrestimin e policit më datë 21 prill të këtij viti.
Polici është dënuar pasi i njëjti pa pëlqimin e së miturës ka takuar disa herë në banesën e familjes viktimë me aftësi të kufizuara mendore e lindur me 20.01.2006 dhe me këtë rast ndaj të njëjtës ka ushtruar sulm seksual dhe atë duke e puthur viktimën në fytyrë, në buzë, në pjesën e gjoksit, pastaj duke e përqafuar si dhe prek në zonat intime dhe që këto veprime i ka përsëritur në intervale të ndryshme kohore.