Vendimi i gjykatës në rastin 'Pronto', flet avokati i Besim Beqajt

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Prokurorja Drita Hajdari: Të fuqishmit e politikës i shpëtojnë drejtësisë

Pas shpalljes së vendimit avokati i Besim Beqajt, Besnik Berisha për kallxo.com deklaroi se vendimin e gjykatës për lirim e të mbrojturit të tij e kishte pritur.

“Epilogu i sotëm ishte i pritur, i ditur dhe i merituar, ngase ndjekja, hetimi dhe përfaqësimi nga Prokuroria ishte një dështim me apo pa qëllim”, ka thënë avokati Berisha.

Berisha tha se aktakuza ishte ngritur si rezultat i presionit publik dhe medial.

“Aktakuza e quajtur në rastin ‘’Pronto’’ ishte ushtruar si rezultat i presionit publik dhe medial e jo si pasojë e provave të grumbulluara në fazën e hetimeve’’, ka thënë ai.

Sipas avokatit Berisha, kjo aktakuzë rikonfirmoi se Prokuroria Speciale ka bërë ndjekje sipas tij selektive duke iu munguar guximi për të trajtuar njëjtë edhe personat e tjerë që ishin pjesë e përgjimeve.

“Me theks të veçantë Prokuroria nuk kishte guxim për të ftuar asnjëherë, madje as në cilësi të dëshmitarëve ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe as Kadri Veselin, dhe të tjerët të cilët poashtu ishin pjesë e përgjimeve dhe diskutimeve të ndryshme të njëjta me ato që një pjesë e strukturës së PDK-së u akuzuan’’, tha avokati Besnik Berisha mbrojtës i ish ministrit Besim Beqa.

Lidhur me këtë vendim prokurorja e rastit Drita Hajdari tha se është tepër zhgënjyer pasi gjykatësi Shashivar Hoti sipas saj as nuk e arsyetoi vendimin e sotëm ndaj të akuzuarve.

Prokurorja Drita Hajdari: Të fuqishmit e politikës i shpëtojnë drejtësisë

.