Vendimi i Gjykatës ndaj Sllobodan Miletiq, i akuzuar për sulmin në të cilin mbetën të lënduar të paktën 30 ushtarë të KFOR-it në Zveçan
Sllobodan Miletiq është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës nën akuzën për sulm ndaj trupave të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan në maj të vitit 2023.
I njëjti nga Prokuroria Speciale po akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje dhe për veprën penale në bashkëkryerje pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Vesel Ismajli në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës më datë 16.09.2024.
Sipas aktgjykimit të shpallur, gjykata të pandehurit Sllobodan Miletiq për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”, i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve, të cilin dënim nuk do ta vuan në qoftë se i njëjti në periudhën kohore prej 4 viteve nuk kryen ndonjë vepër të re penale.
Në dënimin e shqiptuar nga gjykata të pandehurit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 10.05.2024 deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Gjykata të pandehurit Sllobodan Miletiq për veprën “Pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm”, i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, mirëpo me pëlqimin e të pandehurit dënimi i shqiptuar në kohëzgjatje prej 6 muajve i zëvendësohet me dënim gjobë në shumën prej 9,500 euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nëse i akuzuari brenda afatit të paraparë ligjor nuk e paguan këtë gjobë të shqiptuar gjykata do të ia rikthejë dënimin e shqiptuar në dënim burgu në kohëzgjatje prej 6 muajve.
Sipas aktgjykimit të shpallur obligohet i gjykuari që në afatin e paraparë ligjor, prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi t’i paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore.
Në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro dhe shumën prej 100 euro në emrin e fondit për mbrojtjen e viktimave.
Nëse i gjykuari nuk i paguan këto shuma, e njëjta do të realizohet përmes përmbarimit me detyrim.
Gjithashtu të gjykuarit, gjykata masën e paraburgimit do të ia ndërpres pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, respektivisht pas pagesës së gjobës së shqiptuar thuhet në aktgjykim.
Pasi që palët ishin prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Vesel Ismajli kërkoi nga palët në procedurë qe të deklarohen rreth ushtrimit apo mos ushtrimit të ankesës rreth aktgjykimit.
Prokurori special Bekim Kodraliu u deklarua se pajtohet me dënimin.
Ngjashëm u deklaruan edhe nga ana e mbrojtjes, avokatja Jelena Krivokapiq dhe deklaroi se heqin dorë nga ana e ankesës.
Gjyqtari Vesel Ismajli njoftoi se aktgjykimi merr formën e prerë me rastin e pranimit në formë të shkruar.
Kjo çështje penale mori epilog pasi që paraprakisht para shpalljes së aktgjykimit, në seancën dëgjimore është bërë aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Sllobodan Miletiq.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së ngritur me datë 09.09.2024 i pandehuri Sllobodan Miletiq akuzohet se me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri Sllobodan Miletiq, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, kanë marrë pjesë aktiv në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Në aktakuzë thuhet, se të njejti kanë përdorur mjete të forta, shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, 3 nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.
Nga këto veprime kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e personave zyrtarë, të cilëve edhe iu kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore thuhet në aktakuzë.
Me këto veprime i akuzuari Sllobodan Miletiq akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – Sulm ndaj personit zyrtar.
Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës i pandehuri Sllobodan Miletiq akuzohet se me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në koordimin me shumë të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë aktiv në grupin përkatësisht në turmën e personave të cilët përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, në komunat veriore të vendit, edhe përkundër urdhërave të ushtarëve të KFOR-it, për shpërndarje të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Miletiq bashkë me të pandehurit të tjerë kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga atë cilat ishin lënduar 30 pjesëtarë të KFORI-it, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite, kështu duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.
Nga këto veprime i pandehuri Sllobodan Miletiq ngarkohet nga Prokuroria Speciale se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale –Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.