KALLXO.com

Vendimi i Gjykatës ndaj 6 të dyshuarve për kultivimin e marihuanës në një mulli në Shirokë të Suharekës

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj 6 të dyshuarve për kultivimin e marihuanës në një mulli në Shirokë të Suharekës.

Alajdin Ramdani, Milazim Voci, Erol Marku, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic po ngarkohen për veprat penale kultivimi i hashashit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve do të vlejë deri me datë 16 mars 2022.

Sipas prokurorisë, të dyshuarit Alajdin Ramadani, Milazim Voci, Erol Marku, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic nga data e pavërtetuar deri më 16 shkurt, brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë të komunës së Suharekës, në katin e 7-të kanë kultivuar hashash.

Sipas njoftimit, me rastin e urdhër kontrollit në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa.

Tutje gjykata ka potencuar se në vendin e ngjarjes, Policia gjithashtu ka zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit.

Gjykata ka ardhur në përfundim që masa e paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë është e arsyeshme dhe e domosdoshme.

“Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer këto vepra penale, respektivisht të pandehurit dyshohen se kanë kultivuar e transportuar shitur e shpërndarë substanca narkotike në pesha të mëdha, gjithashtu duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprave panel, masa e paraburgimit është e domosdoshme”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së sotme, në seancën dëgjimore, Prokuroria deklaroi se në rastin konkret janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore të parapara për caktimin e masës së paraburgimi.

Kurse, gjashtë të pandehurit së bashku me mbrojtësit e tyre kundërshtuan masën e paraburgimit dhe nga gjykata kërkuan që t’i shqiptohet ndonjë masë tjetër alternative.

Nga mbrojtësit e të pandehurve Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic gjithashtu u propozua masa e dorëzanisë.

Një operacion i madh anti-drogë ishte zhvilluar gjatë ditës së mërkurë (16 shkurt) në rajonin e Suharekës.

Ky operacion nga Prokuroria e Prizrenit kishte për cak një grup të personave që prodhonin marihuanë në fshatin Shirokë të Suharekës.

Laboratori është në mesin e laboratorëve më të mëdhenj që janë shkatërruar në vitet e fundit.

Në këtë operacion janë konfiskuar mbi 1,000 fije të kanabisit në katin e fundit të objektit të mullirit të këtij fshati.

Në mesin e të personave të arrestuar janë katër shtetas të Maqedonisë së Veriut, një qytetar i Prishtinës dhe një i Suharekës.

Pamje: Shkatërrohet laboratori ku prodhohej drogë në Suharekë