Vendimi i Gjykatës, burgim për kërcënuesin e gazetares Adelinë Ahmeti dhe kameramanit të KALLXO.com Jetmir Hoxha
Me 120 ditë burg është dënuar Mustafë Hasani, i cili para disa muajve kishte kërcënuar ekipin e KALLXO.com në një fshat në Skenderaj.
Ekipi në përbërje nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha kishin pranuar kërcënime, fyerje e sharje.
Sot më 10.09.2024 në Degën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Skenderaj është marrë vendimin për dënim ndaj të pandehurit Mustafa.
“Të pandehurit i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 120 ditësh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”- tha gjyqtari Valon Hajdini.
Në shqyrtimin fillestar, që është mbajtur me datë 09.09.2024 i pandehuri kishte deklaruar se e ndjen vetëm fajtor.
“Jam i vetëdijshëm për pranimin e fajësisë dhe për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, më vjen keq për rastin që ka ndodhur”- ishte shprehur Hasani.
Në seancën fillestare gazetarja e Kallxo.com, Adelinë Ahmeti deklaroi se në rastin që ka ndodhur me të pandehurin Mustafë Hasani është cenuar liria e shprehjes dhe e drejta e informimit.
“Jemi kanosur ne, është cenuar raportimi i lirë për një çështje të interesit publik. Janë atakuar vlera dhe liri themelore të të drejtave të njeriut, liria e mediave dhe liria e shprehjes. Ky rast të mos konsiderohet thjesht si një kanosje po si një kanosje ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së mediave”- ka deklaruar gazetarja.
Kërcënime serioze, fyerje, sharje e deri te ngritja e dorës drejt ekipit të KALLXO.com u bën gjatë ditës së 26 shkurtit 2024 në një fshat të Skenderajt.
Gjatë ditës së hënë, 26.02.2024, ekipi i KALLXO.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar seriozisht nga Mustafë Hasani, një qytetar nga Klina e Mesme, fshat në komunën e Skenderajt.
Ekipi i KALLXO.com po trajtonte një problematikë e cila kishte dalë në pah – ndërtimi i një kishe në fshatin Klinë e Epërme.
Një ide e Ndrekë Kelmendit për të ndërtuar një kishë, e cila pretendohet se ka qenë në të kaluarën në po të njëjtin vend, kishte hasur në rezistencë të banorëve të Klinës së Epërme, të cilët po thonë se toka është private dhe aty nuk mund të ndërtohet kisha.
Pasi ekipi kishte marrë versionet e banorëve të Klinës së Epërme për ndërtimin e kishës që ishte ide e Ndrekë Kelmendit, ekipi i KALLXO.com shkoi te Ndrekë Kelmendi për ta takuar dhe për të biseduar lidhur me pengesat që i pati për ndërtimin e kishës.
Ndrekë Kelmendi ka ndryshuar emrin tash së fundmi nga Halil Hasani.
Vite më parë thotë se ishte konvertuar në fenë katolike ndërsa thotë se vazhdon të mbajë qëndrimin për ndërtimin e kishës në Klinë të Epërme.
Më 26.02.2024, ekipi i KALLXO u nis drejt shtëpisë së Ndrekë Kelmendit, aty u prit nga ky i fundit ndërsa vetëm pak momente më vonë në oborrin e tij kishte shkuar vëllai i tij, Mustafë Hasani (i identifikuar nga Policia në Skenderaj).
Me vrull, gjuhë fyese, kërcënuese, sharje e ofendime ekipi i KALLXO.com u ballafaqua për disa minuta nga vëllai i Ndrekë Kelmendit, Mustafë Hasani.
Madje diskutimi nga ana e Mustafë Hasanit shkoi deri te ballafaqimi ballë për ballë me ekipin me tone të larta dhe kërcënuese ndërsa ekipi i bëri me dije se po pengohej në kryerje të detyrës dhe po kërcënohej.
Mustafë Hasani vazhdoi edhe për disa momente fyerjen, ofendimet dhe kërcënimet ndaj ekipit të KALLXO.com deri sa në një moment tha edhe: “Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la”.
Ekipi vazhdimisht ka kërkuar nga Mustafë Hasani që të qetësohej dhe se ishin mirëpritur nga Ndrekë Kelmendi, por Mustafë Hasani nuk ka ndaluar dhe ka kërcënuar ekipin se nëse diçka del në rrjete sociale për vëllanë e tij apo për temën që kishin shkuar për ta trajtuar do të kenë telashe.
“Po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë, unë po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë”- ka vazhduar kërcënimi nga ana e Mustafë Hasanit ndaj ekipit të KALLXO.com.
Për rreth 4 minuta ka vazhduar situata e tensionuar ndërsa Ndrekë Kelmendi disa herë i kishte kërkuar vëllait të tij, Mustafë Hasanit, që të largohet nga oborri sepse ai e priti ekipin e KALLXO.com.
Pas kësaj situate, Ndrekë Kelmendi ftoi për bisedë, qetësisht, ekipin e KALLXO.com duke arsyetuar vëllanë e tij.