Vëllezërit nuk pajtohen me ndarjen e lokalit afarist, ballafaqohen në Gjykatë

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur seanca në rastin ku vëllezërit Nagip Fazliu, si propozues po kërkon pronësinë mbi lokalin afarist si dhe Rabit Fazliu, si kundërpropozues, po kërkon ndarjen e lokalit afarist në mënyrë të barabartë pasi i njëjti është në pronësi të përbashkët.

Seanca e sotme nisi me mos paraqitjen e propozuesit Nagip Fazliu, i cili e kishte dërguar vetëm avokaten e tij në seancë.

Tutje në seancë, përfaqësuesja e propozuesit, avokatja Jehona Sylejmani tha se duhet të bëhet ndarja fizike sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme i cili gjendet në shkresat e lëndës, në atë mënyrë që propozuesit Nagip Fazliu ti dorëzohet në shfrytëzim dhe pronësi kati përdhesë në sipërfaqe prej 64.2 m2.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i kundërpropozuesit, avokati Fadil Sinanaj deklaroj se në tërësi e kundërshton propozimin e propozuesit sepse nuk ka përmbajtje nga të dhënat për objektin në fjalë. Meqë objekti akoma nuk figuron si i regjistruar, nuk mund të bëhet ndarja fizike e tij.

Avokati Sinanaj tha gjithashtu se ekziston një aktgjykim i plotfuqishëm por që i njëjti ka të meta juridike sepse po të mos kishte të meta juridike, i njëjti  do të ekzekutohej në procedurë të përmbarimit dhe nuk do kishin shkuar me propozim për ndarje fizike.

Tutje avokati Sinanaj tha se propozuesi thirret se të drejtën mbi lokalin afarist e ka fituar në bazë të aktvendimit trashëgimorë e që në atë aktvendim propozuesi dhe kundërpropozuesi janë bashkëpronar për nga 1/2 e ngastrës kadastrale ku është i ndërtuar lokali, andaj sipas ligjit këta janë pronar të njësisë kadastrale dhe çdo gjë që është e ndërtuar në atë pronë është pronë e përbashkët dhe duhet të ndahet në mënyrë të përbashkët.

Në bazë të aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 14 tetor 2016 propozuesit Nagip Fazliu i është njohur 1/2, e pjesës ideale e ngastrës kadastrale (pronës), në vendin e quajtur “Qytet”, rruga  Sadullah Brestovci. Kundër këtij vendimi kundërpropozuesi, vëllai i propozuesit Rabit Fazliu ka ushtruar revizion i cili është hedhur nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Pastaj, më 8 janar 2020 Gjykata Themelore në Gjilan ka pranuar propozimin e propozuesit Nagip Fazliu për ndarjen fizike të sendit të përbashkët të paluajtshëm, lokalit afarist (fazë në të cilën ndodhet sot procedura jo kontestimore).

Në propozim thuhet se propozuesi Nagip Fazliu kërkon nga Gjykata që të bëhet ndarja fizike e ngastrës kadastrale në vendin e quajtur “Qytet”, rruga Sadullah Brestovci, në sipërfaqe prej 443 m2 e evidentuar në certifikatën mbi të drejtat e pronës së paluajtshme, ashtu që edhe propozuesit dhe kundërpropozuesit t’i ndahet nga 1/2 pjesë, siç ekziston gjendja faktike në terren.

Pas propozimit për dalje në vend të ngjarjes, seanca e sotme do të vazhdohet më 09 qershor.