Foto-ilustrim

Vëllezërit mitrovicas të akuzuar për shitje narkotikësh, nuk pranojnë fajësinë

Vëllezërit Çlirim dhe Valmir Hyseni, u deklaruan të pafajshëm sot në Gjykatën e Mitrovicës rreth akuzës për shitblerje të narkotikëve me të cilat i ngarkon Prokuroria.

Në lidhje me akuzën e Prokurorisë, Çlirim Hyseni tha se ato qeset me Marihuanë që u janë kapur nga organet e rendit, kanë qenë për përdorim personal pasi e pi vet

“Nuk kanë qenë për shitje, po i kom ble për veti”, tha Çlirim Hyseni.

Ndërsa i akuzuari Valmir Hyseni tha se s’ka për çfarë ta pranojë fajësinë pasi narkotikët nuk ishin të tij.

“Nuk kom qa mu deklaru, se s’jon kon të mijat, mu sum kanë gjet kurgjo”, tha Valmir Hyseni.

Prokuroria po e ngarkon Çlirim dhe Valmir Hysenin për blerje, posedim dhe shitblerje të paautorizuar të narkotikëve.

Prokuroria thotë se më 5 maj 2021 gjatë një kontrolle nga Njësiti i DHTN-së në shtëpinë e të akuzuarve në dhomën e pritjes, janë gjetur 20 paketime me narkotikë të llojit Marihuanë në peshë prej 18.4 gramë.

Aktakuza shpjegon se një qese me 1 gram narkotikë ishte gjetur në dollapin ku ishte i vendosur televizori, ndërsa në dhomën e të akuzuarit Çlirim ishin gjetur 80 qese që shërbejnë për paketimin e Marihuanës që ishin të njëjta me 20 qeset e paketuara me narkotikë.

Po ashtu, Policia në këtë rast kishte gjetur edhe 2 kartëmonedha nga 10 euro, 4 kartëmonedha nga 5 euro, 30 monedha nga 2 euro, 26 monedha nga 1 euro, 16 monedha nga 50 cent, 10 monedha nga 10 cent dhe 5 monedha nga 5 cent, thotë aktakuza.

Ndërsa në dhomën e të akuzuarit Valmir Hyseni, Prokuroria thotë se janë gjetur disa qese me përmbajtje të marihuanës, një peshore digjitale dhe një mulli për bluarjen e marihuanës me mbishkrimin “Amsterdam Holland”, dhe para në vlerë të tërësishme prej 156 eurove të cilat janë sekuestruar nga Policia.