Foto: Kallxo.com

Vëllai i Mentor Zekajt: Vrasja e vëllait ka ndodhë për me hupë borxhin

Driton Zekaj, vëllai i të ndjerit Mentor Zekaj, ka ardhur nga Zvicra sot në Gjykatën e Pejës për të rrëfyer momentet tragjike të 6 marsit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentorit është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Në një seancë me tensione, Driton Zekaj ka folur për raportet e vëllait të tij me të akuzuarin për vrasjen ndërsa familjarë të të ndjerit kanë reaguar disa herë në pyetjet e avokatit drejtuar dëshmitarit.

Vrasja po pretendohet të këtë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

22 vite burgim iu shqiptua Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sot Driton Zekaj rrëfeu para trupit gjykues, se vëllait të tij ia kishte dërguar një shumë prej 120 mijë eurove për blerjen e një shtëpie në lagjen “Fidanishte” të Pejës, por një pjesë të këtyre parave ai ia kishte dhënë hua Kreshnik Halitit.

“Për këtë hua është lidhur një marrëveshje të cilën unë se kam parë por me ka treguar Mentori për të”, tha Driton Zekaj.

“Vrasja ka ndodh për me hup borxhin”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokatit Besnik Berisha.

Sa i përket shumës se borxhit, Zekaj tha se pas llogaritjeve të tij ka ardhur në konstatim vëllai i tij tashmë i ndjerë ia kishte dhënë Kreshnik Halitit përafërsisht 86 mijë euro.

E këtë ai e mbështeti edhe faktin se kunata e tij kishte qenë në shtëpi kur ishin dorëzuar këto para.

Por avokati Berisha pyeti dëshmitarin se si është e mundur që paratë i janë dhënë Kreshnik Halitit një muaj para se ai t’i dërgonte Mentorit 120 mijë eurot.

Dëshmitari e konsideroi si mundësi që marrëveshja të jetë bërë më herët kurse paratë të jene dhënë më vonë.

“Pare kemi pasur edhe më herët e tash a ia ka dhënë ato që i kemi pasur të kursyera apo këto 120 mijë” shtoi dëshmitari Driton Zekaj.

Duke iu referuar bisedës së ditës se fundit me Mentor Zekajn, dëshmitari Driton Zekaj deklaroi se i ndjeri i kishte thënë se në orën 2 do të shkonte për t’i marrë paratë nga Kreshnik Haliti “sepse ia kanë lejuar kredinë banka”. Por ai tha se Mentori i kishte atij se “Kreshnik Haliti nuk ka arritë me marrë kredinë, duke i thënë ‘e hajde në ora 4 pra’”.

Raportet mes të vëllait Mentor Zekajt dhe Kreshnik Halitit, sipas dëshmitarit ishin raporte shumë të mira për me shumë se 10 vjet.

“Ishin raporte të karakterit shoqëror”, tha Driton Zekaj.

Momente tensionimi u zhvilluan në sallën e Gjykatës, kur avokati Besnik Berisha, ju drejtua Driton Zekajt me pyetjen “a jeni vu në dijeni se ka pasur pretendime se vëllai i juaj ka dhënë para me fajde”.

Bashkëshortja e Mentor Zekajt në këto momente ju drejtuar me fjalën “pis” të akuzuarit.

Ndërsa babai i të ndjerit lëshoi sallën e gjykimit me lot në sy duke thënë “kriminela, kriminela”.

Në përfundim të dëshmisë se tij, dëshmitari u pyet nga avokati Berisha se cili version është i vërtetë duke pasur parasysh që, sipas tij, ka deklarime të ndryshme për fakte të njëjta.

“Kjo tash se e kam thënë”, u përgjigj dëshmitari.

Babai i të ndjerit, para trupit gjykues deklaroi se  “esenca e vrasjes se djalit tim ka qenë marrja e pareve, tradhtia dhe marrja e jetës”.

Trupi gjykues në këtë rast përbehet nga kryetarja – gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, dhe gjyqtarët Sami Sharraxhiu e Kadri Prekaj.

Seancat e radhës për këtë rast do të mbahen më 21 dhe 29 janar 2020.