Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Veçohen procedurat ndaj të akuzuarve për mbindërtime të kundërligjshme në Skënderaj

Prokuroria e Mitrovicës po akuzon Zemë Rushitin se duke vepruar si person zyrtarë – inspektor i Ndërtimit në Skenderaj me qëllim që të krijoj dobi për të tjerët, ka tejkaluar autorizimet dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas akuzës, i njëjti nuk ka ndërmarr veprimet përkatëse që binin në domenin e inspektorit të ndërtimit për parandalimin e mbindërtimeve e objekteve.

Akuza e prokurorisë në Mitrovicë pretendon se i pandehuri Rushiti u kishte mundësuar personave Rrustem Rukolli, Abaz Abazi, Muhamet Fejza dhe Idriz Mecinaj, mbindërtim në sipërfaqe të ndryshe të objekteve banuese.

Me këtë akuzohet se ai ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në akuzë.

Gjithashtu prokuroria e Mitrovicës në një akuzë të përbashkët, kishte ngritë aktakuzë edhe ndaj Rukollit, Abazit, Fejzes, e Mecinajt për veprën penale ‘punime ndërtimore të kundërligjshme’.

Sot në gjykatën e Mitrovicës ishte paraparë që të filloj procesi gjyqësor ndaj të lartcekurve me mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar.

Gjyqtari Radosllav Markoviq, ka njoftuar se, për shkak se katër të lartcekurit janë të akuzuar për veprën penale e cila është në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm, vazhdimi i procedurës së kësaj çështje penale në Departamentin e Krimeve të Rënda, përbën shkelje të rëndë të dispozitave ligjore.

Për këtë palët janë pyetur që të deklarohen lidhur me veçimin e procedurës.

Prokurori Naim Beka ka thënë se sa i përket veçimit të procedurës, konsideron se në parim nëse trajtohet lënda në tërësi nuk prodhon shkelje të dispozitave procedurale, mirëpo lidhur më këtë çështje i njëjti ka theksuar që të vendos gjykata.

Ndërsa avokati Arianit Koci i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Rrustem Rukoli, ka deklaruar se kjo procedurë duhej të veçohej ndaj të mbrojturit të tij.

Pas deklarimit edhe të të pandehurve (përveç të pandehurit Abaz Abazi – për të cilin gjyqtari Radosllav Markoviq ka thënë se nuk e kishte pranuar ftesën me rregull pasi të dhënat e adresës nuk ishin të plota në akuzë), gjyqtari Markoviq ka marr aktvendim me anë të se cilit ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarve Rukolli, Abazi, Fejzes e Mecinajt për çka ka thënë se do të vendoset me aktvendim të veçantë ndaj të cilit nuk kanë të drejtë ankese.

Pas kësaj të pandehurit ndaj të cilëve u veçua procedura, liruan sallën e gjykatës, ndërsa seanca e shqyrtimit fillestar kishte vazhduar vetëm ndaj të akuzuarin Zenë Rushiti.

I akuzuari Rushiti pasi ishte njoftuar me të drejtat dhe obligimet e tij, gjatë rrjedhës së procedurës ka deklaruar se nuk ka kushte financiare për të angazhuar një mbrojtës.

Po ashtu ai ka shtuar se nuk ishte pajisur me asnjë shkresë të lëndës nga prokuroria.

Pas kësaj, gjyqtari Markoviq ka njoftuar se prokuroria në këtë rast nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore për t’i dorëzuar provat të akuzuarit siç parashihte, andaj ka konstatuar se nuk ka mundësi që të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.

Seanca e sotme është shtyrë kurse e radhës është caktuar të mbahet me datë 11 qershor.