Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj tre ish kryeshefave të PTK-së

Ish shefat e PTK-së, Agron Mustafa, Rexhë Gjonbalaj dhe Ejup Qerimi, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për rastin e njohur si “PTK – Z-Mobile”.

Në seancë është bërë dëgjimi i dy dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria e Shtetit, ndërsa ishte paraparë të bëhej edhe dëgjimi i dëshmitarit të tretë mirëpo i njëjti kishte njoftuar Gjykatën se për arsyeje personale nuk mund të jetë prezent.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar në këtë rast PTK-së, Gazmend Mehmeti, ishte i ftuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit.

Ai në seancën e sotme deklaroi se e konsideron PTK-në si palë të dëmtuar.

Në pyetjen e prokurorit Naim Abazi se a i konsideron se veprimet që janë marrë nga ana e të akuzuarve e kanë dëmtuar Postë Telekomin e Kosovës, ai deklaroi se “me vet faktin që jemi palë e dëmtuar dhe është bërë dëmi, konsideroj se janë përgjegjës”.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Lufti Shala se pse të akuzuarit i konsideron përgjegjës, Mehmeti tha se mosbaztimi i kontratës, i bën ata përgjegjës, duke shtuar se këto janë qëndrime personale të tij.

“Unë po flas vetëm në cilësinë e dëshmitarit, në bazë të shkresave të prokurorisë dhe në bazë të dëmit të shkaktuar ndaj PTK-së. Ky është qëndrim i imi personal”, tha Mehmeti.

Në këtë seancë është bërë edhe dëgjimi i drejtorit ekzekutiv të Dardafon.net, Milot Gjikolli.

Ai tha se u qëndron pranë deklarimeve të mëhershme.

“Meqë ka kalu kohë nuk mund të them se më kujtohet, por sigurisht që i qëndroj pranë asaj daklarate”, tha Gjikolli.

Ai tha se nuk e konsideron vetën si palë e dëmtuar, e gjithashtu deklaroi se PTK po përmbush detyrimin për kompensimin e dëmit siç është marr vendim në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Vendimi i Arbitrazhit për një kompensim dëmi të PTK-së ndaj Dardanfon.net është duke u realizuar në këste mujore”, tha Gjikolli.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Lutfi Shalës se a mund të na sqaroni edhe njëherë se cili ka qenë qëndrimi i PTK-së në lidhje me moszbatimin e kësaj kontrate, Gjikolli dekalroi se “faktikisht nga kjo kontratë në fillim ka pas vonesa në liferimin e SIM kartelave e cila ka zgjat diku dy vite, problemi i dytë ka qenë mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G dhe mosdhënia e numeracionit shtesë. Të gjitha këto kanë shkaktuar, dëm sidomos mosdhënia e shërbimit 3G dhe 4G”.

Ai deklaroi se ka qenë në negocim në lidhje me mosmarrëveshjen e moszbatimit të kësaj kontrate.

“Në kohen kur ka qenë kryeshef Ejup Qerimi kemi pasur një takim. Me Ejup Qerimin nuk kemi pasur takim për moszbatimin e kësaj kontrate, mirëpo vetëm letërkëmbim. Ndërsa me Agron Mustafën kemi pasur diku 2/3 takime. Qëndrimi i tij ka qenë shumë pozitiv në drejtim të zbatimit të shërbimeve 3G dhe 4G ndërsa në kohen kur ka qenë kryeshef Agron Mustafa nuk ka qenë problem liferimi i SIM kartelave, pasi janë liferu me kohë. Problem ka qenë numeracioni shtesë”, deklaroi Gjikolli.

Lutfi Shala tutje pyeti Gjikollin nëse moszbatimi i kësaj kontrate ka ardhur si rezultat se PTK apo personat përgjegjës në PTK kanë dashtë apo kanë qenë të vetëdijshëm që dëshirojnë t’i shkaktojnë dëme Dardanfon.net apo ka ardhur si rezultat i interpretimit ndryshe të kontratës?

Gjikolli për këtë pyetje tha se: “Kemi të bëjmë më një periudhë 10 vjeçare ku kanë qenë të involvuar 5 kryeshefa ekzekutiv dhe assesi nuk besoj që këta persona kanë dashur t’i shkaktojnë dëm, por mënyra e funksionimit të kompanive publike ka bërë që të vijë deri te mospërmbushja e kontratës nga PTK-ja”.

Seanca e radhës do të mbahet me 31 gusht 2021 ku do të bëhet edhe dëgjimi i dëshmitarit të tretë, Blerim Devolli.

Prokuroria Speciale e ngarkon Ejup Qerimin se nga muaji shkurt i vit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, duke qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij me qëllim që t’i shkaktonte dëm kompanisë “Dardafon.net”, tani “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën e lidhur më 16 janar 2009.

Objekt i kësaj kontrate ishin liferimi i SIM-kartelave, blloqet e numeracionit dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishte marrë vendim më 18 korrik 2013, për rezervimin e serisë së numeracionit  jo-gjeografik mobil 045xxx xxx për përdorimin e mëtejshëm nga operatori Z-Mobile.

Mirëpo, i pandehuri Ejup Qerimi sipas aktakuzës kishte bërë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, e cila padi ishte refuzuar dhe vendimi kishte marrë formën e prerë.

Më pas ishte zhvilluar procedura në Arbitrazh, ku më 19 dhjetor 2016 sipas këtij vendimi Telekomi i Kosovës ishte detyruar të paguajë shumën prej 32,856,407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”.

Ndërsa Agron Mustafën Prokuroria e akuzon se që nga data 19 shkurt 2015, pasi është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i PTK-së e deri me datën 24 maj 2017, kishte lidhur marrëveshje për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

Sipas Prokurorisë, Agron Mustafa me qëllim që t’i shkaktojë dëm “Dardafon.net, nuk kishte zbatuar kontratën e datës 16 janar 2009.

Ndërsa lidhur me vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016, Agron Mustafa edhe pse ishte në dijeni se ndaj këtij vendimi nuk ishte e lejuar ankesa  kishte angazhuar  ‘’Studio Ligjin’’ që të parashtronte ankesë në Gjykatën e Lartë Angleze, e cila gjykatë e kishte hedhur ankesën dhe kishte obliguar  Telekomin e Kosovës që të paguajë shumën prej 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net” tani Z-Mobile, duke mos llogaritur shpenzimet profesionale që kapin shumën prej 198,323.06 euro dhe 65,000.00 funta për Gjykatën angleze.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj akuzohet se duke qenë kryesues i bordit të drejtorëve të PTK-së, nuk ka përmbushur detyrimin e tij me qëllim që të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile, t’i shkaktojë dëm.

Sipas Prokurorisë Rexhë Gjonbalaj nuk kishte përmbushur kontratën e datës 16 janar 2009, nuk kishte respektuar vendimin e ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, si dhe nuk kishte përmbushur vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016 me të cilën Telekomi i Kosovës obligohej t’i paguante 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile.