Vazhdon seanca për vrasjen e vitit 2016-të në Podujevë

Sadat dhe Fejard Llugaliu, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016-të në Podujevë, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi deklaroi se kanë lëshuar urdhër sa i përket hartografive.

Mbrojtja e familjes së dëmtuar, avokati Ahmet Tahiri propozoi që të ftohen hartuesit e ekspertizës së datës 2 dhjetor 2016.

“Propozoj që të ftohen dhe dëgjohen ekspertët, Bashkim Mustafa dhe Fatmir Ademi hartuesit e ekspertizës së datës 2 dhjetor 2016 dhe të sqarojnë paqartësitë lidhur me ekspertizën. Kurse sa i përket ekspertëve të tjerë, pajtohem që të lexohen deklarimet e tyre si në procesverbalet e mëhershme”, tha avokati Tahiri.

Mbrojtja e të akuzuarit Sadat Llugaliu, avokati Gëzim Kollçaku tha se është e panevojshme të ftohen ata dy ekspertë.

“Konsideroj se është e panevojshme që dhe njëherë të ftohen ata dy ekspertë, pasi dy herë janë dëgjuar. Ata kanë vepruar sipas provave të nxjerra nga vendngjarja dhe nga të gjitha provat e tjera”, tha avokati Kollçaku.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skënder Musa tha se e kundërshton këtë propozim, pasi ky propozim vetëm e zvarritë procedurën.

Gjykata aprovoi propozimin e avokatit Ahmet Tahiri, që për seancën e radhës të ftohen dhe dëgjohen ekspertët, Bashkim Mustafa dhe Fatmir Ademi për ta sqaruar ekspertizën e hartuar nga këta ekspertë.

Prokurorja Limani po ashtu propozoi që provat materiale dhe videoinçizimet e vendngjarjes dhe rreth saj, të qartësohen.

Gjykata aprovoi propozimin e prokurores Limani që, video-inçizimet e vendngjarjes të dërgohen në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Kjo vrasje kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Kurse sipas vendimit të shpallur nga gjykata e shkallës së parë i akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte  dënuar me 18 vjet burgim efektiv. Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Seanca e radhës u caktua për datën, 25 shkurt në ora 9:30.