Vazhdon gjykimi ndaj 'Burdushit'

Hysri Peqani i njohur si ‘Burdushi’, është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit.

Ai akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedonte aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Në seancën e sotme ka dëshmuar eksperti financiar Ramadan Ferizi, të cilit iu paraqitën pyetje nga trupi gjykues.

Në këto pyetje Ferizi deklaroi se bizneset ‘Hysri Peqani BI’ dhe ‘NPH Urimi’, veprimtarinë primare e kanë të njëjtë, mirëpo, ‘NPH Urimi’ ka edhe aktivitete të tjera sekondare siç janë hotelieri, shitje e kafiteri.

Tutje ai tha se nuk pajtohet me mendimin e Drejtorisë së Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI) të cilët i kanë konsideruar si të hyra e MoneyGram-it të udhëhequra me një fletore.

“Unë si të hyra i kam pranuar vetëm të hyrat të cilat sipas raportit të DHTI-së janë realizuar si të hyra nga dy kontrata të cilat Hysri Peqani i ka dhënë me qera dhe këto gjithsej bëjnë 228,956.00”- tha Ferizi

Po ashtu ai tha se këto të hyra nuk lejohen me Standardet e Kontabilitetit të Kosovës (SKK).

“Çka kam thënë më parë është një analizë e të dhënave financiare i nxerur nga raporti final i DHTI-së pa asnjë ndryshim ku janë të pasqyruara 3 lloje të të hyrave, gjithnjë flas sipas raportit të DHTI-së, kurse në kontestin se sa ka qenë mbulueshmëria e të hyrave të Hysri Peqanit edhe DHP Urimit unë mendoj që nuk duhet të përfshihen këtu si të hyra, e para është analiza e dyta është mendimi, se unë mendoj që këto të hyra që regjistrohen në një fletore dhe të pranuara si të hyra në ATK nuk duhet të pranohen si të hyra sepse një gjë të tillë nuk e lejojnë standardet e SKK-së”- tha eksperti.

Së fundmi mbrojtësi i të akuzuarit Hysri Peqani, avokati Feim Alaj i ka propozuar prova të reja materiale për administrim gjykatës.

Për analizimin e këtyre provave prokurorja e rastit Merita Bina- Rugova kërkoi kohë shtesë në mënyrë që të deklarohet lidhur me to.

Kujtojmë që ‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzon se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore ndaj ‘Burdushit’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK