Vazhdon gjykimi me dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ‘Stenta 2’

Gjykimi ndaj 38 mjekëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, trajtim i pandërgjegjshëm gjyqësor e vepra të tjera të ngjashme ka vazhduar edhe sot në Gjykatën e Prishtinës.

Ditën e djeshme kishte filluar rishtazi gjykimi për mjeket e akuzuar si pasojë e mos mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor për më shumë se 3 muaj me radhë.

Në seancë sot ishte paraparë që të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë. Paraprakisht ishte paraparë që në këtë seancë të dëgjoheshin gjithsej 20 dëshmitarë, por prezent ishin vetëm gjashtë prej tyre.

Në cilësinë e dëshmitarit, Nystret Vitia tha që mbetet pranë deklaratave të dhëna në gjykatë në shqyrtimet gjyqësore të më hershme.

“Në tërësi qëndroj pranë asaj deklarate”- tha para gjykatës Vitia.

Njëjtë u deklarua edhe dëshmitari tjetër Islam Sejdiu, se mbetet në tërësi pranë deklaratave që i ka dhënë në vitin 2019 dhe se i njëjti e konsideron veten si i dëmtuar.

“Po qëndroj prapa asaj dëshmie…, dhe po e konsideroj veten të dëmtuar për shkak të pagesës që nuk më është bërë nga ministria”- tha dëshmitari Sejdiu.

Ndërsa dëshmitari i prokurorisë, Mustaf Huduti tha se mbetet në tërësi mbrapa deklaratave të dhëna në vitin 2016, por i njëjti nuk e konsideronte vetën si i dëmtuar në këtë proces andaj i njëjti tha që nuk do të parashtroj kërkesë pasurore juridike.

“Mbetem pranë deklaratave të dhëna më herët…, unë nuk ndihem i dëmtuar dhe e falënderoj zotin që jam gjallë dhe nuk parashtroj kërkesë pasurore juridike”- tha Huduti.

Kurse sipas dëshmitarit Naim Halilaj, problemi nuk ishte me mjekët të cilët ishin të akuzuar por me spitalin Hospital Medicinë, pasi që spitali nuk i kishin kthyer një shumë të konsideruar të të hollave.

“Unë problemin e kom me spitalin Medicine, me asnjë mjek nuk e kom problemin”- tha Halilaj.

Në këtë seancë sot dhanë dëshminë e tyre edhe Arben Berisha dhe Skënder Ramadani të cilët mbetën në tërësi pranë dëshmive të cilat i kishin dhënë në shqyrtimet e më hershme.

Për dëshmitarët të cilët nuk ishin prezent sot ani pse ftesat e gjykatës ishin dorëzuar në mënyrë të rregullt, gjykata tha që do të ndërmerren veprime procedurale sipas ligjit.

Gjykimi për këtë rast do të vazhdoj me 24 nëntor më dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.