Foto: KALLXO.com

Urdhërohet arrestimi i ish-kreut të Skenderajt

Në gjykimin e 12 të akuzuarve për rastin “Veteranët” ka munguar ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, S.L. dhe dëshmitari S.B., të cilët ishin paraparë të dëshmonin sot.

Dëshmitari S.L. mungoi përkundër ftesës së dërguar në mënyrë të rregullt. Ai nuk e ka arsyetuar mungesën.

Gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dëshmitarit S.L.

Vendime të ngjashme ajo kishte lëshuar edhe më herët, saktësisht në seancat e datave 4, 5 e 6 dhjetor.

Përveç S.L. në seancë mungoi edhe dëshmitari S.P., i cili ishte ftuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik.

I njëjti ftesën e kishte pranuar dhe përmes kërkesës së tij pritet që të sillet nesër, 24 dhjetor, përmes Policisë.

Si rrjedhojë gjykimi i së hënës filloi me dëgjimin e dëshmitarit H.N.

Edhe në këtë seancë sikur në të kaluarat gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj qëndroi pranë aktvendimit të përpiluar me shkrim të datës 4.12.2019, në të cilin aktvendim kufizoi filmimin, fotografimin  dhe regjistrimin televiziv, në pjesët ku jepet dëshmia e dëshmitarëve për shkak të mbarëvajtjes së procesit gjyqësor dhe në kufizimin e emrave dhe mbiemrave dhe shënimin e tyre vetëm në iniciale, deri në përfundim të procedurës së të provuarit.

Mirëpo, gjyqtarja nuk ka lëshuar vendim edhe sa i përket publikimit të fotografisë së dëshmitarëve.

Gjykata nuk lejon publikimin e deklaratave të dëshmitarëve në rastin ‘Veteranët’

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.

Shukri Buja vë në pikëpyetje kompetencën e prokurorëve dhe Gjykatës së Prishtinës për ta gjykuar

www.kallxo.com