Foto: Kallxo.com

U vonua në deklarimin e pasurisë, dënohet drejtorja e komunës së Gjilanit

Drejtorja për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, Shpresa Hajdari, është dënuar sot nga gjykata për mosdeklarim të pasurisë.

Gjyqtari i rastit Rilind Sermaxhaj e dënoi atë me 400 euro gjobë pasi paraprakisht Hajdari e kishte pranuar fajësinë në të njëjtën seancë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, Hajdari si zyrtare e lartë publike nuk e ka deklaruar pasurinë e saj në Agjensionin kundër Korrupsionit.

Aktakuza thotë ajo formularin për deklarim të pasurisë e kishte dorëzuar në Agjension jashtë afatit më 05.04.2019 edhe pse nga ana e Agjensionit Kundër Korrupsionit ka qenë e njoftuar brenda afatit ligjor për dorëzimin e atij formulari.

Në fillim të seancës së sotme, Shpresa Hajdari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza e Prokurorisë.

“Është faji im pasi që nuk kam mundur ta deklaroj pasurinë time me kohë, vetëm 4 ditë me vonesë e kam deklaruar atë”, tha e akuzuara Hajdari.

Avokati mbrojtës Nasuf Nasufi deklaroj se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga klientja e tij.

“Jam konsultuar me klienten time dhe ja kam sqaruar të gjitha benefitet e pranimit të fajësisë”, u shpreh mbrojtësi.

Edhe Prokuroria u pajtua me pranimin e fajësisë.

“Për Prokurorinë është në rregull ky pranim pasi e ka bërë në mënyrë vullnetare dhe e pa ndikuar nga askush”, tha prokurorja Huma Jetishi.