Foto: Policia e Shtetit
U vidhte me forcë të moshuarave varëset nga qafa, arrestohet i dyshuari
Policia shqiptare ka arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, i dyshuar si autor i katër vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Korçës.
I prangosuri dyshohet se u vidhte me forcë në rrugë shtetaseve të moshuara varëset e floririt nga qafa.
Siç njofton Policia e Shtetit, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një varëse floriri.
Rastet e vjedhjeve kanë ndodhur në lagjet nr.3 dhe nr.12, në Korçë.
I arrestuari E.R., banues në Korçë, ishte i dënuar më parë për veprën penale – vjedhja.
Arrestimi i tij u bë pas marrjes së kallëzimeve të shtetaseve A.M. dhe L.H., banuese në Korçë, të cilat kanë deklaruar se në datën 31.07.2019, në lagjen nr.12 një person i paidentifikuar, u ka vjedhur nga qafa varëset e tyre të floririt.
Falë reagimit në kohë, si edhe veprimeve të mirëkoordinuara u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit E.R. dhe gjatë kontrollit fizik Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një varëse floriri.
Gjithashtu nga veprimet e mëtejshme hetimore e procedurale të kryera dyshohet se shtetasi E.R., mund të jetë autor edhe i dy ngjarjeve të tjera të ndodhura si më poshtë:
Më 26.07.2019 dhe më 17.07.2019 në lagjen nr.3, ku u kanë vjedhur nga qafa shtetaseve R.T. dhe M.P. varëset e tyre të floririt.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vjedhja”.