Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

U vazhdohet arresti shtëpiak drejtorit të Urbanizmit në Pejë dhe zyrtares të kësaj drejtorie

Gjykata e Pejës ka marrë vendim përmes të cilit ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejës, Rajan Arapi, dhe zyrtares, Florije Berisha.

Sipas vendimit të gjykatës së Pejës, masa e arrestit shtëpiak është vazhduar edhe për 30 ditë.

Rajan Arapi dhe Florije Berisha po hetohen për vepra penale të korrupsionit.

Muajin e kaluar, drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi dhe dy zyrtarët Florije Berisha dhe Bajram Muzlijaj, u arrestuan në një operacion të gjerë të Prokurisë së Pejës, i ndërmarrë në komunën e Istogut, Deçanit dhe Pejës.

Rajan Arapi dyshohet se ka keqpërdorë detyrën e tij dhe ka pasur konflikt interesi në këtë rast ndërsa Florije Berisha dhe Bajram Muslijaj dyshohet për keqpërdorim të detyrës së tyre.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, drejtori i Urbanizmit dyshohet se kishte blerë banesë nga kompania “Dukagjini” të cilës i kishte lëshuar leje për mbi ndërtim edhe pse një leje e tillë nuk parashihet në ligjin për ndërtimet.

Lejet ndërtimore të lëshuara për mbindërtim sipas Prokurorisë nuk parashihen në ligjin për ndërtim dhe se janë lëshuar në bazë të planit zhvillimor komunal Peja 2020 – 2028, plan i cili akoma nuk është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përpos lejes për kompaninë Dukagjini, dyshimet për keqpërdorim shfaqen edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore.

Dyshimet për keqpërdorim sipas Prokurorisë paraqiten në momentin kur kompania “ART COM” merr leje për ndërtimin me etazhitet 2B+P+6K ndonëse me planin zhvillimor urban për zonën në fjalë parashihej etazhiteti maksimal P+5K.

Përpos kompanive “Dukagjini” dhe “Art Com”, drejtori i Urbanizmit dyshohet se ka keqpërdor pozitën e tij edhe në kohën kur ka lëshuar lejet për kompaninë “El production Sh.P.K”.

Aksioni gjigant në Dukagjin, pesë prokurorë hetojnë ndërtimet pa leje