Foto: Ilustrim

Tunë Kqira përfundimisht dërgohet në burg

Tunë Kqirajt të cilit ishte vërtetuar dënimi për disa pika të aktgjykimit për vepër penale të fajdesë dhe detyrimit, është arrestuar nga policia pasi ishte në kërkim.

Këtë për Kallxo.com e ka bërë të ditur zëdhënësi i gjykatës në Prizren, Marcel Lekaj.

Lekaj tha se Tunë Kqira ka qenë i kërkuar më urdhërarrest si dhe ndaj tij ka pasur vendim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa dje është arrestuar nga policia.

“Gjykata në Prizren ka qenë në pritje që lënda të kthehet nga Gjykata Supreme dhe pastaj të vazhdojë me procedurën e ekzekutimit të dënimit me burgim”, shtoi zëdhënësi Lekaj.

Tunë Kqira nga Gjykata Supreme është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 vite dhe 15 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Tunë Kqira, Gjon Kqira, Marijan Kqira, Gëzim Kqira, Kastriot Kqira, Benson Buza dhe Gjekson Kqira me vendimin e Gjykatës Supreme ishin liruar nga disa pika të aktakuzës për veprën penale të fajdes dhe detyrimit.

Ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit kishte mbetur e pandryshuar, duke vërtetuar aktgjykimin në ato pika me përjashtim të dënimeve.

“Përkitazi me disa pika të dispozitivit të aktgjykimit për veprën penale të fajdes nga neni 343 par.3 lidhur me par.1 të KPRK dhe veprës penale detyrimi nga neni 340 par.2 lidhur me par.1 të KPRK, për të cilat pika në pajtim me nenin 364 pika 1.3 të KPPK, të akuzuarit lirohen nga akuza, ndërkaq pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pandryshuar, me përjashtim të lartësisë së dënimeve”, ishte thënë në komunikatën e gjykatës.

Gjykata Supreme të akuzuarit i ka gjykuar me dënim unik me burgim dhe gjobë në të cilën do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Tunë Kqira, u dënua me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 vite dhe 15 mijë euro gjobë.

Kastriot Kqira, me dënim unik 4 vite e 6 muaj burgim dhe 15 mijë euro gjobë.

Gjon Kqira, me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite dhe 10 mijë e 500 euro gjobë.

Marijan Kqira, me dënim unik 1 vit e 8 muaj burgim dhe 7500 euro gjobë.

Benson Buza, 3 vite e 6 muaj burgim, dhe 15 mijë euro gjobë.

Gjekson Kqira, 1 vit e 8 muaj burgim dhe 2,500 euro gjobë.

Gëzim Kqira, 1 vit e 8 muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Të njëjtit, Gjykata e Apelit i kishte shpallur fajtor për veprën penale fajdeja në bashkim me veprën penale detyrimi.

Të akuzuarin Tunë Kqiraj, Apeli e kishte dënuar me 7 vite burgim dhe 25mije euro gjobë, Kastriot Kqira ishte dënuar me 5 vite burgim dhe 25 mije euro gjobë, Gjon Kqira me 5 vite e 6 muaj burgim dhe 15 mije euro gjobë, Marijan Kqira, 3 vite burgim dhe 10 mije euro gjobë, Benson Buza, me 5 vite burgim dhe 25 mije euro gjobë, Gjekson Kqira me 3 vite burgim dhe 5 mije euro gjobë dhe Gëzim Kqira me 3 vite burgim e 3 mije gjobë.

Grupin e Kqirajve dhe të tjerë, Gjykata e Prizrenit i kishte shpallur fajtorë në vitin 2019 me ç’rast disa nga të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, kurse disa të tjerë ishin liruar nga akuzat.

Dënohet grupi i Kqirajve për fajde

Pas kësaj, shkalla e dytë kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës të Prizrenit duke i ashpërsuar dënimet ndaj 8 të akuzuarve.