Gjykimi për sulm ndaj policëve FOTO-Bahrie Sadiku/KALLXO.com

Tre vjet burgim ndaj të akuzuarit për sulm ndaj policëve

Gjykata e Mitrovicë e ka dënuar me tre vjet burg të akuzuarin Fatmir Uka për sulm ndaj zyrtarëve policorë

Në këtë dënim të pandehurit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas akuzës, Uka më nëntë shkurt të vitit 2019 në rrugën “Mbretëresha Teuta” në Mitrovicë afër rrethrrotullimit të madh ka sulmuar personat zyrtar – policët B.B dhe F.V

Tutje akuza e Prokurorisë thotë se kur policët kanë dashur ta ndalojnë në pikën kontrolluese, si drejtues të motoçikletës, pa targa, së bashku me personin Ylber Uka, si udhëtar, të cilët në atë rast nuk kishin pasur helmeta mbrojtëse në kokë, ai ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

I pandehuri Uka në vend që të ndalojë vrullshëm është nisur në drejtim të policit – të dëmtuarit F.V, ku polici ia ka dalë të largohet në një anë dhe ta shmangë goditjen e drejtpërdrejt, por prapë ka pësuar lëndime të lehta, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

Më pas i pandehuri ishte gjetur në fshatin Zhabar i Epërm, ndërsa sipas akuzës gjatë arrestimit ka rezistuar, me ç’rast ka lënduar policin Burim Bahtiri, i cili kishte pësuar gërvishtje në lëkurë në regjionin e kokës.

Një rast i ngjashëm sipas Prokurorisë kishte ndodhur edhe me katër korrik të vitit 2019.

Uka në rrugën “ Shemsi Ahmeti ” në Mitrovicë me rastin e kontrollit të automjetit nga ana e Policisë, pas mosmarrëveshjes me policin i njëjti në atë moment e ka kapur policin për këmishe dhe ia ka shqyer uniformen, duke u munduar që ta godasë me duar dhe këmbë.

Sipas akuzës në atë moment kolegu N.H dhe A.S  kanë intervenuar dhe të njëjtin e kanë vënë nën kontroll thuhet në akuzë.

Me këtë, Fatmir Uka akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Për këto dy raste nga Prokuroria e Mitrovicës ishin ngritur dy aktakuza, për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar ndërsa gjykata kishte bërë bashkimin e lëndëve.

Kurse prokurorja Danijella Batkoviq kishte rikualifikuar veprën penale në vazhdim.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.