Ilustrim

Tre të arrestuar në Gjilan, pranuan se kanë kryer vjedhje të rënda

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar tre persona persona, dy të gjinisë mashkullore dhe një të gjinisë femërore, të cilët dyshohet të jenë të involvuar në shumë raste të veprave penale.

“Sot pasdite, më 22 janar 2022 Policia ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve të implikuar në raste të “vjedhjeve”, “vjedhjeve të rënda” dhe veprave tjera penale”, ka thënë dje Policia.

Tutje është njoftuar se tre të arrestuarit janë F.S., L.S. dhe D.K..

“Fillimisht është arrestuar i shumë kërkuari F.S. i dyshuar për shumë vepra të kryera penale si ‘Vjedhje e rendë’ të kryera në lokacione të ndryshme si dhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, është thënë në njoftim.

Policia ka treguar se më pas janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë.

“I dyshuari L. S., me banim në Pejë dhe e dyshuara D.K. nga Gjilani të cilët dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer vjedhje të rënda”, ka thënë Policia.

Sipas njoftimit të Policisë tre të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës ku edhe kanë pranuar se kanë kryer vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme.

Tre të dyshuarit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë dhe hetimet rreth këtij rasti po vazhdojnë në koordinim me prokurorin e shtetit.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, gjatë arrestimit tek i dyshuari kryesor F.S. është gjetur një pistoletë dhe 2 fishekë.

Tutje gjatë kontrollit Policia ka konfiskuar shumë sende të tjera si cigare të llojeve të ndryshme, TV plazma, Play Station, mjete të punës, pjesë të automjeteve, telefona dhe gjëra të tjera të cilat ishin vjedhur në lokacione të ndryshme.

“Gjëra e konfiskuara do të përdoren si prova dhe dëshmi materiale lidhur me veprat e kryera”, është thënë nga Policia.