Tre deposit të KEK-ut para gjykatës, akuzohen për vjedhjen e ngjitësit

Ejup Grajçevci, Fahri Fejzullahu dhe Vehbi Dragusha, të cilët po akuzohen nga Prokuroria për vjedhjen e 245 kilogramëve ngjitës të thëngjillit në KEK kanë dalë para Gjykatës.

I akuzuari i parë Ejup Grajçevci, gjatë marrjes në pyetje deklaroi se në vendin ku mbahej ngjitësi hapësira monitorohej me kamera të sigurisë.

“Gjatë muajit maj 2012 kam qenë i ngarkuar me pozitën prijës i ekipit për pranimin, numërimin, sistemimin, regjistrimin dhe daljen e  mallit në depo e cila ka qenë nën vëzhgimin e dy kamerave funksionale në derën hyrëse dhe në derën dalëse’’, tha ai.

I pyetur nga prokurori i rastit Arian Gashi, se: “Si  ka dalë  malli nga depoja?’’, i akuzuari Grajçevci u përgjigj: “Çdo mall ka dalur në bazë të fletëparaqitjes në të cilën  dhënësi i materialit ka qenë i obliguar që qartë ta shifrojë kërkesën, ndërsa personi përgjegjës gjatë dorëzimit të mallit ka qene Vehbi Dragusha’’, tha ai.

Ai tutje tha se roli i tij ka qenë që të shikoj a ka qenë  kërkesa në rregull, a është lëshuar nga personi i autorizuar dhe nënshkrimi i marrësit.

“Unë  kam vepruar në bazë të rregullores së punës. Me datën 17.05.2012 depon e kam hapur unë në orën 07:01 min, e kam dhënë kodin e alarmit, kam kontrollu depon a ka demolim, ditën kur ka ndodh vjedhja kam vërejt pakot e zbrazëta të ngjitësit për vullkanizer të shiritave të shpërndara nëpër depo. Kam pyetur  dhënësin e  materialit Fahri Fejzullahun a ke dhënë ngjitës pa pako, ai ka ‘thënë jo’, pastaj kam thirrë prijësin në shkarkim Vehbi Dragushën dhe ka thënë ‘nuk i kam dhënë ngjitës askujt’’ deklaroi i akuzuari Grajçevci,

I akuzuari tha se në depo kanë munguar 210 kg ngjitës dhe jo siç shkruhet në aktakuzë 245 kg.

I pyetur nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, se kur keni vërejtur që kanë munguar 210 kg ngjitës, a keni bërë procesverbal? I akuzuari deklaroi se: “S`ka pas procesverbal vetëm gojarisht jena marrë vesh’’.

Në pyetjen e gjykatësit Hamdi Ibrahimi se: “A është e vërtetë se ju personalisht keni pasur çelësat e depos dhe a keni pasur qasje të pakufizuar edhe kur e dini që s`keni qenë i ngarkuar me mall?’’

I akuzuari deklaroi se: “Po i kam pas çelësat’’.

Në pyetjen e gjykatësit Ibrahimi, a shkruhet në dokumentacion ‘se komisioni për dorëzim-pranim të mallit, konstaton se mungojnë 245 kg ngjitës?’’

I akuzuari Grajçevci tha ‘’po shkruan minus 210 kg’’, ndërsa gjykatësi Ibrahimi tha “nuk është hajgare kjo punë, kemi të bëjmë me kapital të shoqërisë, e ju mbani evidenca me plusa e minusa pa e ditur askush se për çfarë bëhet fjalë’’.

Në pyetjen e gjykatësit Foniqi se: ‘’A  ju kujtohet kur  e keni bërë evidentimin e mungesës së ngjitësit a keni qenë vetëm?’’

I akuzuari Grajçevci deklaroi se: “Tërë pranim-dorëzimin e mallit e ka bërë komisioni për vlerësimin e mallit, Latif Ujkani, Skender Berjani dhe Musa Pllana nuk ka mbajt procesverbal por vetëm elaborat’’.

Në pyetjen e kryetares se trupit gjykues se: “Në kë dyshoni për marrjen e ngjitësit?’’

I akuzuari Grajçevci tha: “Se nuk mundem me akuzu askë pa e parë, por e di që i akuzuari Dragusha ka qenë edhe në Dubai në kohën kur ka munguar malli, dhe e di se pakot në depo janë hedhur me prapavijë’’.

Sipas Prokurorisë me aktakuzë ngarkohen 3 ish-depoist të KEK-ut për përvetësimin e 245 kg ngjitës të thëngjillit.

Gjithnjë sipas prokurorisë me datën 17 maj 2012,  Ejup Grajçevci dhe Vehbi Dragusha depoist në Divizionin e Thëngjillit në KEK, së bashku me Fahri Fejzullahun si dhënës të mallit të depos me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar 245 kg ngjitës të thëngjillit duke i shkaktuar dëm KEK-ut në shumë prej 5,115.06 euro.

Trupi gjykues ndërpreu seancës e sotme për të vazhduar me datën 11.1.2019 në ora 09:00.