Trajtimi ndër vite i rastit të të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares

Një proces gjyqësor i cili sipas Ligjit do duhej të përfundonte brenda 120 ditëve, akoma nuk ka filluar të trajtohet edhe pse janë bërë gjashtë vite prej momentit që prokuroria kishte ardh në përfundim se ka prova të mjaftueshme të cilat e zbardhin ngjarjen e vitit 2013 në Ferizaj.

Kanë kaluar tetë vite nga dita që kishte ndodhur rasti, si dhe gjashtë vite prej kur është ngritur aktakuza për tentim vrasje kundër Arbër Sejdiut dhe ende Gjykata e Ferizajt nuk ka arritur as ta filloj gjykimin e këtij rasti e lëre më ta përfundoj.

Arbër Sejdiu akuzohet se në mesditën e 11 korrikut të vitit 2013 kishte tentuar ta vrasë G.P pasi që për motive të ulta, kishte shtënë katër herë në drejtim të tij.

Për këtë rast Sejdiu kishte mbajtur më pak se një muaj paraburgim dhe më pas ishte dërguar në arrest shtëpiak.

Në mesditën e së dielës në emergjencën e spitalit të Ferizajt, ishte dërguar pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Sipas Prokurorisë, dy personat e dyshuar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, pasi e kanë lënë në spital viktimën, ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, i dyshuari Arbër Sejdiu ishte arrestuar të dielën, ndërsa sot u arrestua edhe i dyshuari tjetër Dardan Krivaqa.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Pas ngjarjes e cila tronditi gjithë opinionin publik, u kuptua se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares, Arbër Sejdiu edhe në një rast tjetër ishte i akuzuar për tentim vrasje, por që ndonëse ngjarja kishte ndodhur në vitin 2013 dhe aktakuza për këtë rast ishte ngritur në vitin 2015, ky rast lërë më që nuk kishte arritur të merrte epilog përfundimtar, por që nuk kishte mundur as të nisej së gjykuari.

Lidhur me rastin e tentim vrasjes, Prokuroria e Ferizajt me 9 shkurt 2015 e kishte ngritur aktakuzën ndaj të akuzuarve Arbër Sejdiu dhe M.S., për shkak të veprave penale të kryera në bashkëkryerje vrasje në tentativë si dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuarve të armëve. Ndërsa ndaj të akuzuarit tjetër G.P., për shkak të veprës penale vrasje në tentativë mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuarve të armëve.

Trajtimi ndër vite i rastit të Arbër Sejdiut

Ishte data 11 korrik 2013 kur Arber Sediu ishte arrestuar nën dyshimet për tentim vrasjen e cila kishte ndodhur po atë ditë, afër një pompe të benzinës në Ferizaj.

Dy ditë më vonë me vendim të gjyqtarit Sahit Krasniqi, Gjykata e Ferizajt të njëjtit i kishte caktuar 30 ditë paraburgim. Vendimin për paraburgim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Pa kaluar muaji, Prokuroria e Ferizajt kishte kërkuar që Arbër Sejdiu të lirohej nga paraburgimi dhe të dërgohej në arrest shtëpiak. Me këtë kërkesë ishte pajtuar edhe Gjykata dhe ndaj tij ishte caktuar arresti shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajve.

Gati dy vite më vonë, saktësisht më 9 shkurt të vitit 2015, Prokurorja Florije Shamolli kishte ngritur aktakuzë kundër Arbër Sejdiut dhe dy të pandehurve tjerë nën akuzën për tentim vrasje.

Aktakuza i ishte ndarë për gjykim gjyqtarit Musa Konxheli i cili sipas ligjit brenda 30 ditëve do të duhej që të caktonte shqyrtimin fillestar.

Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, përcakton se menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, brenda 30 ditëve duhet që të mbahet shqyrtimi fillestar.

“Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton menjëherë shqyrtimin fillestar, i cili duhet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditëve pas ngritjes së aktakuzës”, përcaktohet në Kodin e Procedurës Penale.

Mirëpo duke u bazuar në informacionet e pranuara nga Gjykata e Ferizajt, ndonëse aktakuza nga Prokuroria ishte dorëzuar në Gjykatë me datë 12 shkurt 2015, gjyqtari i rastit Musa Konxheli, vetëm pothuajse pas një viti, me datë 2 shkurt 2016 e kishte caktuar seancën për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

“Pas ngritjes së aktakuzës lënda me numër PKR.ner.35/15 i është ndarë në punë gjyqtarit të Krimeve të Rënda Musa Konxheli. Lënda në fjalë i është ndarë në punë gjyqtarit Musa Konxheli, ndërsa i njëjti më 2 shkurt 2016 ka caktuar seancën për shqyrtim fillestar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Mirëpo nga fletë kthesat e lëndës ishte konstatuar se të pandehuri Arbër Sejdiu dhe G.P., janë të panjohur si në adresat e dërguara.

E për verifikimin e adresave të të pandehurve, vetëm pas pothuajse një viti tjetër, gjyqtari i rastit Musa Konxheli, kishte kërkuar verifikimin e adresave të të akuzuarve.

“Gjykata më 12.01.2017 ka kërkuar verifikim të adresës përmes policisë për të pandehurit Policia e Kosovës-Stacioni Policor në Ferizaj më  06.02.2017 ka njoftuar gjykatën me adresën e A.S. por që sipas këtij njoftimi i njëjti me familje gjendet në Suedi’, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Mirëpo në njoftimin e Gjykatës së Ferizaj, nuk ka më informacione se për më shumë se dy vite e gjysmë gjyqtari Musa Konxheli a ka ndërmarrë më ndonjë veprim tjetër për trajtimin e këtij rasti.

E meqë me 1 korrik 2019 gjyqtari Konxheli është avancuar në Gjykatën e  Prishtinës, ky rast i ishte ndarë në punë gjyqtarit tjetër Sahit Krasniqi.

“Më 1 korrik 2019 gjyqtari Musa Konxheli ka kaluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special dhe lëndët me të cilat ka qenë i ngarkuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj u janë shpërndarë gjyqtarëve të Departamentit për Krime të Rënda, ku lënda konkrete i është ndarë gjyqtarit Sahit Krasniqi”, thuhet në njoftim.

Mirëpo pas pothuajse 4 vite e gjysmë nga ngritja e aktakuzës dhe mos arritja e mbajtjes së shqyrtimit fillestar, edhe pas kalimit të lëndës tek gjyqtari tjetër, Sahit Krasniqi, u konstatua se ky gjyqtar kishte qenë gjyqtar i procedurës paraprake në këtë rast, prandaj i njëjti duhej të përjashtohej nga trajtimi i kësaj çështje.

Kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Ferizajt, Bashkim Hyseni me datë 12 shkurt 2020 e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e gjyqtarit Sahit Krasniqi për përjashtimin e tij nga gjykimi i kësaj çështjeje penale dhe vetëm pas pothuajse 4 muajve, me datë 17 qershor 2020 lëndën ja kishte ndarë në punë gjyqtares së tretë me radhë, Hysnije Gashi.

Mirëpo as gjyqtarja e tretë e cila u caktua për trajtim e këtij rasti, nuk mundi as ta filloj e lërë më përfundoj gjykimin e rastit.

Pas 6 muajve, gjyqtarja e rastit Hysnije Gashi doli ne pension dhe rasti ju caktua për gjykim, gjyqtarit të katërt me radhë Mustaf Tahiri.

“Me daljen në pension të gjyqtares Hysnije Gashi me datë 16.12.2020, U.D. Kryetari i Gjykatës Sahit Krasniqi me vendim me këtë çështje penale ka ri-caktuar gjyqtarin Mustaf Tahiri me datë 29.01.2021’, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas kalimit të rastit tek gjyqtari Mustaf Tahiri, i njëjti seancën e shqyrtimit fillestar e caktoi me datë 1 qershor 2021, mirëpo as kësaj radhe nuk ishte arritur të mbahej shqyrtimi fillestar pasi që, kryetari i trupit gjykues kishte qenë i angazhuar me një çështje penale të natyrës urgjente e po ashtu edhe mbrojtësi i njërit prej të akuzuarve kishte munguar për çështje shëndetësore.

Në seancën e datës 2 qershor 2021, kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri ishte njoftuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Arbër Sejdiu, avokati Hajrush Nuhiu, se i mbrojturi i tij jeton jashtë vendit, përkatësisht në Suedi.

Në këtë seancë nuk kishin prezantuar as të pandehurit M.S. dhe G.P., si dhe nuk kishte qenë prezentë as prokurori i shtetit i cili kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca ishte shtyrë në afat të pa caktuar.

Në ndërkohë gjyqtari Mustaf Tahiri tentativën e radhës për mbajtjen e shqyrtimit fillestar e kishte caktuar me datë 23 shtator 2021, me c’rast kishte konstatuar se të akuzuarit Arber Sejdiu dhe M.S do të ftoheshin në shqyrtim përmes mbrojtësve të tyre, ndërsa të pandehurit G.P. i ishte dorëzuar ftesa për shqyrtim gjyqësor, e po ashtu ftesa i është dorëzuar edhe Prokurorisë si dhe mbrojtësve të të pandehurve M.S dhe Arbër Sejdiu.

Lidhur me pretendimet për neglizhim të trajtimit të këtij rasti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas pranimit të informacionit nga Gjykata e Ferizajt lidhur me rastet e më hershme të të dyshuarve Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa për vrasjen e 18 vjeçares M.O, ka dërguar kërkesë tek autoriteti kompetent për të shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e këtij rasti nga gjykata dhe gjyqtarët përkatës.

Pas analizimit të trajtimit të këtij rasti, KGjK ka deklaruar se në rast se vërtetohet se në trajtimin e rasteve të mëhershme penale ndaj të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa, ndaj personave përgjegjës do të iniciohet procedurë disiplinore.

“Lidhur me këtë çështje, në rast se konstatohet neglizhencë nga ana e gjykatës përkatëse, atëherë autoriteti kompetent duhet të iniciojë procedurë disiplinore”, thuhet në komunikatën për media të KGjK-së.

KGjK është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u konstatuar se a ka pasur lëshime apo neglizhencë eventuale në trajtimin e rasteve të mëhershme penale ndaj dy të dyshuarve në fjalë.

“KGjK, zotohet se do t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të adresuar dhe trajtuar deri në fund çështjen në fjalë dhe në rast se konstatohet se ka lëshime apo neglizhencë, atëherë do të ndërmerren masa ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës sipas procedurës disiplinore përkatëse”, thuhet në komunikatën për media të Këshillit Gjyqësor.