Thuhen fjalët përfundimtare nga Ivan Todosojeviq për mohimin e masakrës se Reçakut

 

 

Në Gjykatën e Prishtinë sot janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e ish ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosojeviq për nxitje të urrejtjes.

I njëjti akuzohet për nxitje të urrejtjes nga Prokuroria Speciale përmes një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Në fjalën e tij përfundimtare Ivan Todosojeviq u deklarua se nuk kishte për qëllim që të fyente askë e sidomos popullin shqiptar.

“Në asnjë moment nuk kam dashtë edhe s`kam pas qëllim që askënd ta fyej e posaçërisht popullin   shqiptar të tërin”, tha Todosojeviq.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Todosojeviq, Nebojsha Vladiq u shpreh se liria e mendimit nuk ka thelb nëse nuk ka liri të shprehjes.

Tutje Vladiq tha që Todosojevqi ka marrur dënimin politik në lidhje me këtë deklaratë, i cili dënim ishte shkarkimi i menjëhershëm nga ana e kryetarit të Qeverisë.

“Ivani ka bartur pasojat politike për këtë çfarë ka thënë dhe për këtë është shkarkuar nga kryetari i  Qeverisë në atë kohë”, tha Vladiq.

Ndërsa prokurori i Prokurorisë Speciale Atdhe Dema qëndroi në tërësi pranë aktakuzës kundër të akuzuarit Todosojeviq dhe nga gjykata kërkoi që i njëjtit të shpallet fajtor duke marrë për bazë rrethanën lehtësuese që Todosojeviq për herë të pare bie ndesh me ligjin.

Gjykata më 18 tetor përfundimisht pritet të vendos për rastin në fjalë.

Kujtojmë që rasti ndaj ish minisitrit Todosojeviq është në rigjykim kjo pasi që Gjykata Supreme kishte prishur aktgjykimin dënues ndaj tij për mohimin e masakrës së Reçakut.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq ishte dënuar me dy vite dënim me burgim më 5 dhjetor 2019 për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, në të cilën forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bën krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”- kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK