Theret me thikë një serb 17-vjeçar afër Urës së Ibrit

Një incident i rëndë ka ndodhur sonte afër Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Atje një person i moshës 17 vjeçare, është therur me thikë.

Rasti, sipas Policisë, ka ndodhur rreth orës 18:00.

“Një 17-vjeçar i komunitetit serb është therur me thikë. Personi i therur është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Hoti ka shtuar se vendi ku ka ndodhur incidenti është i monitoruar nga kamerat e sigurisë.

Sipas dëshmitarëve, personat kanë ikur në drejtim të jugut.

Zëvendësdrejtori Hoti tha se Policia po punon për të nxjerrë të gjitha incizimet e zonës dhe të identifikojë autorët e këtij rasti.