Tentimvrasja në Gjakovë - Eksperti i balistikës tregon për shkrepjen e armës nga i akuzuari Mentor Gola

Mentor Gola, i akuzuar për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, sot është ballafaquar në gjykatë me dëshminë e ekspertit të balistikës, Fejsal Lutfiu.

Mentor Gola, dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci, nën ndikim të alkoolit duke sharë dhe më pas kishte gjuajtur me armë zjarri.

Eksperti Fejsal Lutfiu tregoi se kishte formuluar një raport nga gjuajtja me armë zjarri dhe të njëjtin raport ia kishte dorëzuar Gjykatës.

Ai tha se largësia e gjuajtjes ka qenë një metër e gjysmë, deri në dy metra.

“Kemi konstatuar se gjuajtja është bërë afër derës së hyrjes së shtëpisë”, deklaroi eksperti i balistikës.

Më pas gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit, Mentor Gola.

Ai tha se nuk i kujtohet deklarata e dhënë në Polici, ndërsa tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

I akuzuari Mentor Gola, tregoi se numrin e të dëmtuarit Lorik Lipoveci, e kishte marrë në kompaninë ku punonte ai.

I pyetur nga avokati i tij Ndrec Dodaj, se pse ke gjuajtur me armë?

Gola tha se kishte gjuajtur me armë në shenjë nervoze.

Gola nuk e pranoi që kishte ofenduar të dëmtuarin Lorik Lipovecin.

“Nuk është në natyrën time të ofendoj, unë kam gjuajtur pasi gruaja e tij ka hyrë brenda me e thirr Lorikun”, deklaroi ai.

Ai tha që kishte një arsye se pse kishte shkuar tek shtëpia e të dëmtuarit, Lorik Lipoveci.

“Qëllimi pse kam shku në shtëpinë e tij, është puna e pengesave që ia ka bërë bashkëshortes sime dhe përhapja e fjalëve nëpër qytet”, deklaroi i akuzuari Mentor Gola

Mentor Gola dyshohet se më 5 qershor 2018, nën ndikimin e alkoolit kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci dhe në momentin kur kishin dalë jashtë gruaja me fëmijët e të dëmtuarit, ai kishte nisur të shante.

Aktakuza shpjegon se i pandehuri Mentor Gola ka gjuajtur njëherë me armë, duke e goditur derën e shtëpisë e pastaj kishte ikur.

Seanca e fundit e këtij rasti është mbajtur në muajin qershor, në të cilën ka dëshmuar i dëmtuari dhe gruaja e tij, e pastaj në muajin korrik palët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Dy seanca të kaluara kishin dështuar për shkak se avokati i të akuzuarit Ndrec Dodaj gjendej jashtë shtetit.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast. Në muajin nëntor të vitit 2018 mbrojtja e të akuzuarit e kishte kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke thënë se aktakuza duhet të përmbajë veprën e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e jo për tentimvrasje.

Në seancën fillestare, i akuzuari Mentor Gola e kishte pranuar fajin për posedim të armës pa leje, por jo për akuzën e vrasjes në tentativë.

“Unë nuk kam shkuar me qëllimin që ta privoj nga jeta askënd”, kishte thënë ai.

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!