Foto: KALLXO.com

Tentim vrasja në Mitrovicë, të akuzuarit ndihen të pafajshëm

Të akuzuarit Sasha Xhoni dhe Jovan Trajkoviq janë deklaruar të pafajshëm përballë akuzës për vrasje të rëndë në tentativë.

Në këtë rast për veprën penale armëmbajtje pa leje është edhe i akuzuari Millan Xhoni, i cili po ashtu u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, të pandehurit Sasha Xhoni dhe Jovan Trajkoviq akuzohen se në  maj të këtij viti, në rrugën “Mbreti Pjetri I” në Mitrovicë – Veri së bashku, me dashje e në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore kanë tentuar që të vrasin të dëmtuarin Radovan Mirkoviq.

Prokuroria në akuzë ka thënë se paraprakisht i pandehuri Nemanja Kokeriq u ka premtuar 2.000 euro që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Radovan Mirkoviq, kurse të akuzuarit Xhoni dhe Trajkoviq kishin pranuar.

Natën kritike e kanë parë të dëmtuarin në qytet, në Mitrovicën Veriore, dhe kur i dëmtuari Mirkoviq është larguar nga kafeneja “Moment” e kanë përcjellë çdo lëvizje të tij, pastaj sipas marrëveshjes i pandehurit Sasha Xhoni kishte shkuar në shtëpi ndërsa të pandehurit Jovan Trajkoviq i kishte thënë shko në qytet dhe shiko ku është Rasha, duke iu referuar të dëmtuarit.

Kurse i pandehuri Trajkoviq tërë kohën e kishte përcjellë të dëmtuarin dhe ka qenë në lidhje telefonike me të pandehurin Xhoni, duke i treguar çdoherë lëvizjet e të dëmtuarit.

Kur ishte nisur për në shtëpinë e tij i dëmtuari Mirkoviq, i pandehuri Jovan Trajkoviq ka shkuar prapa të dëmtuarit dhe kur i njëjti ka hyrë në oborr i pandehuri Sasha Xhoni, pasi që më parë ia kishte zënë pritën, nga një vend i errët me pistoletë ka shtënë katër herë.

Një predhë e ka goditur në këmbën e djathtë, me ç’rast i dëmtuari ishte rrezuar në tokë dhe kishte pësuar plagë trupore, kurse të pandehurit të bindur se e kanë vrarë, janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin “Mercedes S5“ të të pandehurit Sasha Xhoni.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Po ashtu, ata akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza u lexua nga prokurori Ismet Ujkani.

Kurse pasi që u njoftuan nga gjyqtari i rastit Tomislav Petroviq, lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre në këtë procedurë gjyqësore, të akuzuarit kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë lidhur me veprën për të cilën akuzohen nga Prokuroria e Mitrovicës.

I pafajshëm në akuzën e Prokurorisë për armëmbajtje pa leje është deklaruar edhe i  pandehuri i tretë në këtë rast, Millan Xhoni.

Gjyqtari Petroviq më pas i ka njoftuar palët se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën.

Po ashtu, janë njoftuar se shqyrtimi i dytë për këtë rast nuk do të mbahet, kurse lidhur me kundërshtimet eventuale Gjykata do të vendosë jashtë seancës e palët do të njoftohen për vendimin.