Foto:KALLXO.com

Tentim-transportimi i 130 kilogramëve drogë nga Kosova në Zvicër, tre të pandehurit përballen me aktakuzën

Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me aktakuzën për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Tre të dyshuarit po gjykohen se kanë organizuar transportimin e 130 kilogramëve drogë nga Kosova për në Zvicër.

Sipas dosjes, në vitin 2017, të pandehurit kishin futur drogën e llojit marihuanë në brendi të dyerve dhe dyert nga Gjakova i kishin transportuar me taksi në Ferizaj e Prizren, ndërkaq destinacioni ishte Zvicra.

Por pas një aksioni të Policisë u identifikuan dy lokacionet në te cilat ishte e fshehur droga.

Gjatë kontrollit, Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Në shqyrtimin e sotëm ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Xhelal Qerkini, por për shkak se kishte pësuar aksident ai nuk u paraqit në sallë.

Lidhur me këtë, Gjykata konstatoi se dëshmitari do të vinte nesër për të dëshmuar.

Gjykimi më tej ka vijuar me leximin e provave.

Sipas aktakuzës, Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se me datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Në nëntor të vitit 2017, emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.