Tensione në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Ramaj në Shaptej të Deçanit

Me tensione është përshkruar seanca për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, për çka po gjykohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj.

Prokuroria e Pejës po i akuzon Sali e Durim Lushajn, që janë babë e bir, për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës, specifikon se Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

Për këtë rast Gjykata e Pejës e kishte dënuar Durim Lushajn me 25 vite burgim, ndërsa Sali Lushajn me 18 vite burgim, por pas ankesës së mbrojtjes, rasti është kthyer në rigjykim.

Reagime në sallën e Gjykatës pati nga i akuzuari Sali Lushaj, dhe familjarët e viktimave, ku disa prej këtyre të fundit e lëshuan sallën e Gjykatës.

Sipas të akuzuarit Sali Lushaj që 41 muaj po mbahet “i kidnapuar prej këtyre njerëzve”.

“Te dera me të vra dhe kështu me ta bo që sa vite”, deklaroi i tensionuar në anën e kundërt Tafë Ramaj vëllai i viktimave.

Veton Kelmendi, zyrtar policor, para trupit gjykues tregoi për raportin policor të përpiluar nga ana e tij, lidhur me bisedën e zhvilluar në stacionin policor mes avokatit Haxhi Qekaj  dhe të akuzuarit Sali Lushaj.

Dëshmitari tha se në atë bisedë i akuzuari Sali Lushaj  ka përshkruar momentet tragjike të datës 25 gusht 2016.

“Qysh janë kanë marrë revolen viktima, dhe me të njëjtën revole është dëmtuar në kokë”, deklaroi dëshmitari.

Kelmendi tha se biseda është zhvilluar në prezence të tij dhe dy eprorëve të tij, Shpend Berisha dhe Riza Mehaj.

Shpend Berisha hetuesi policor që po ashtu ishte prezent gjatë bisedës mes të akuzuarit Sali Lushaj dhe avokatit Haxhi Qekaj, rrëfeu para trupit gjykues për të njëjtën bisedë.

Duke iu referuar raporteve të hetuesve Veton Kelmendi dhe Riza Mehaj, dëshmitari deklaroi se mundet me pas ndonjë lëshim teknik lidhur me atë se Haxhi Qekaj a ka qenë avokat i autorizuar i të akuzuarit Sali Lushaj, por që sipas tij raporti është tërësisht i saktë lidhur me atë se çka është biseduar.

I pyetur lidhur lëndimet e të akuzuarit Sali Lushaj, dëshmitari u përgjigj se “Ka pas lëndime, gjak në maicë”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Gzim Kollqaku prezantoi në gjykatë një fotografi të Sali Lushajt, me fasho në kokë.

“Po kështu e kam parë Saliun si në fotografi”, tha Berisha.

Meqenëse fotografia e prezantuar para trupit gjykues nuk ishte e shënjestruar me shenjë policore, gjykatësja Lumturije Muhaxheri pyeti dëshmitarin se a është fotoja e bërë zyrtarisht nga zyrtarët policor apo nga ndonjë person tjetër.

“Nuk e di, por fotografia nuk i ka shenjat që nëse ish bërë në mënyrë zyrtare do duhej të ishte e shënjestruar”, u përgjigj dëshmitari.

Berisha shtoi se nuk ka njohuri a gjendet kjo foto në shkresat e lëndës.

Sipas prokurorit të rastit Haxhi Sinanaj, as në kallëzim penal e as në fazë të hetimeve nuk ka figuruar kjo fotografi.

“Unë në këto shkresa këtu dhe në dy folderë në zyre se kam këtë foto”, deklaroi prokurori Sinanaj.

Para trupit gjykues dëshmi dha edhe nipi i Salih Lushajt, Demush Lushaj, por që publiku u përjashtua nga salla gjatë dëshmisë se tij.

Demush Lushaj  në kohën kur është kryer vepra penale ka qenë i mitur, mirëpo përkundrazi që sot ka moshë madhore, trupi gjykues përjashtoi publikun me arsyetimin se i njëjti është madhor i ri.