Tensione në Gjykimin e ish kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa

Tensionet mes mbrojtjes dhe Prokurorisë e kanë përshkruar edhe seancën e sotme, ku po akuzohen për krim të organizuar 37 persona, përfshirë ish kryetarin e Komunës se Gjilanit, Qemajl Mustafa.

E gjitha kjo për shkak të ekspertizës financiare që po kërkon mbrojta e të akuzuarit Qemajl Mustafa, të dorëzohet në Gjykatë si provë nga ana e Prokurorisë.

I njëjti pretendon se ekspertiza në fjalë është e përmendur edhe në aktin akuzues të Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës.

Në seancën e kaluar prokurori i rastit, Agron Bajrami pas insistimit të avokatit Shufta, i prezantoi Gjykatës ekspertizën financiare të kërkuar nga ai, por që sot Shufta tha se ajo nuk është ekspertiza e kërkuar, gjegjësisht ekspertiza e specifikuar në aktakuzë.

Prokurori Bajrami iu kundërpërgjigj se “Ekspertiza që ka kërkuar avokati nuk ka të bëjë fare me këtë çështje, por meqenëse ka pasur insistim nga avokati e kemi sjellë dje që të administrohet si provë,  kjo është ekspertiza që ju kemi referuar në aktakuzë me numër dhe emër të njëjtë”.

Mbrojta e të akuzuarit Qemajl Mustafa propozoi që të caktohet një ekspert financiar me qëllim të përpilimit të një ekspertize financiare për aktivitetet e prokurimit për të cilat sipas tij akuzohet klienti i tij.

Shufta insistoi që mos të angazhohet si ekspert Riza Blakaj me arsyetimin se i njëjti është i pabesueshëm dhe sipas mundësive kërkoj angazhimin e një eksperti nga ndonjë qytet tjetër.

Avokati Ismajl Shufta gjithashtu drejtoj ankesa për trupin gjykues duke e quajtur “Gjykatë të anshme”. Kjo sepse sipas tij nuk po i lejohet të kundërshtoj ekspertizën financiare të dorëzuar nga Prokurori Bajramaj.

Gjersa prokurori Agron Bajrami, e kundërshtoi ekspertizën e propozuar me arsyetimin se në rastin konkret aktakuza i referohet kurdisjeve të tenderëve dhe sipas tij  i vetmi institucion kompetent për të konstatuar shkeljet në aktivitetet e prokurimit- është Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Prokurori shtoi se është një përgjigje nga KRPP, mbi cilën provë ndër tjera edhe është mbështetur aktakuza në këtë çështje.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sylë Lokaj përmes vendimit e aprovoi propozimin e avokatit Shufta lidhur me ekspertizën financiare.

Në seancën e radhës që do të caktohet pas përpilimit të ekspertizës financiare, priten të dëgjohen dëshmitarët Bardhosh Dalipi dhe Avdyl Syla.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, e ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal rreth kurdisjes së dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Aktakuza fillestare pati 39 të akuzuar, mirëpo i akuzuari Behar Mehmeti ka vdekur, kështu që gjykata pushoi procedurën ndaj tij, ndërsa procedura gjyqësore ndaj Burim Govorit është veçuar për shkak se i njëjti gjendet në trajtim jashtë vendit.

Aktualisht Qemajl Mustafa është kryetar i degës së PDK-së në Gjilan.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i Komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtarëve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Së bashku me ish-kryetarin Mustafa në këtë proces gjyqësor akuzohen Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Agim Hoxha, Drita Kajtazi, Fadil Osmani, Fatmir Halili, Ganimete Kastrati, Hamdi Ismaili, Hesat Mahmuti, Ibrahim Foniqi, Ilaz Rashiti, Merita Shabani, Muhamet Kastrati, Musa Nasufi, Qefsere Limoni, Selvie Mustafa, Ramush Musliu, Shemsedin Qerimi, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Nazmi Jashari, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani,  Azem Mujku, Zeqirja Fazliu, Basri Kqiku, Mjedin Ahmeti, Naser Mehmeti, Burim Govori, Florim Zuka, Avdyl Pireva, Skender Imeri, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Ndërsa Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen se kishin për të kryer veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ne ekonomi.