Tensione mes prokurorit dhe gjyqtarit në gjykimin për ryshfet ndaj ish-kreyshefit të KPM-së, Luan Latifi

Pas tensioneve në mes të kryetarit të trupit gjykues dhe prokurores së rastit, shtyhet seanca për rastin ku ish-kreyshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Luan Latifi, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Seanca e sotme ishte paraparë t`i dedikohej administrimit të provave materiale të propozuara nga prokuroria.

Seanca filloi me prokuroren e rastit, Merrushe Llugiqi duke elaboruar provat e propozuara me aktakuzë.

Ndër ato prova, prokuroria, propozoi një CD dhe USB me audioincizime të bisedave të ndodhura në lidhje me Luan Latifin, në mes Elhami Hazirit, pronar i operatorit Telkos dhe Arben Bilallit, i cili po ashtu ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Sipas prokurorisë, në ato incizime vërehet kryerja e veprës penale të simuluar meqë në një aksion të tillë ishte përfshirë edhe policia.

Prokuroria deklaron se në këto incizime ndodh dorëzimi i 8000 eurove nga ana e Elhami Hazirit tek Arben Bilalli, me destinacion final ish-kryeshefin  e KPM-së, Luan Latifin.

Ato audio konsistuan të jenë gati 30 minutëshe, kështu kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, kërkoi nga prokuroria që të precizohet minuta e saktë ku ndodh biseda me të cilën inkriminohet, tani i akuzuari Luan Latifi.

Prokurorja Llugiqi, deklaroi se sipas saj është e nevojshme të dëgjohet e tërë biseda sepse është rast i ndërlidhur.

“Është e rëndësishme që të dëgjohet e tërë biseda sepse rasti është i ndërlidhur, për të nxjerrë minutat e saktë mua më duhet kohë shtesë”- tha prokurorja.

Kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, konsideroi se meqë janë audio të gjata nëse nuk specifikohet koha e saktë, atëherë për gjykatën është humbje kohe dëgjimi i tërë audios, kështu i dha kohë prokurorisë 5 ditë për të paraqitur një raport të tillë.

Prokuroria duke kërkuar kohë shtesë për të përgatitur raportin përsëri insistoi që të dëgjohet e tërë audio, por këtë e kundërshtoi gjyqtari.

Kështu, gjyqtari seancën e sotme e shtyu për datën 23 shkurt duke ia zgjatur prokurorisë afatin për precizim të audios.

Kujtojmë se Luan Latifit i është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë, e pas përfundimit të kësaj mase i është caktuar arrest shtëpiak për dy muaj, masë kjo që nuk i është vazhduar më tutje.

Për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave. Ai është gjetur fajtor për vepër penale, marrja e ryshfetit dhe është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Bilalli kishte pranuar fajësinë ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm, pastaj ishte veçuar procedura ndaj Bilallit.

Gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite.

Sipas aktakuzës Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si ryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund ti lexoni duke klikuar në LINK