Qendra e Malishevës nga Google Earth - ku shquhen 'rrathët aliene'

Tenderi për kanalizim i nxjerr para gjyqit 7 zyrtarë të Komunës së Malishevës

Data 25 shkurt është caktuar për mbajtjen e seancës fillestare, ndaj shtatë personave, të akuzuar nga Prokuroria e Gjakovës rreth një projekti infrastrukturor në një fshat të komunës së Malishevës. Remzi Mazreku, Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vranezi, Valdete Morina, dhe Çlirim Karaqica, po dyshohet se kanë konsumuar tri vepra penale gjatë realizimit të këtij projekti të kanalizimit në fshatin Balincë.

Kallxo.com mëson se këtë rast do ta gjykojë gjykatësi Mentor Bajraktari, në gjykatën e Gjakovës.

Në një komunikatë për media në muajin dhjetor, Prokuroria e Gjakovës kishte bërë të ditur se akuzat ndaj tyre janë tri veprat penale, veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës.

Prokuroria e Gjakovës, po akuzon zyrtarët e Malishevës, në një projekt të rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Januz Krasniqi më 16 nëntor 2018, në Malishevë, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe dy të pandehurit Jakup Shurdhaj, dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e punimeve në projektin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë, në raportin e pranimit teknik kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N. T. “Flamuri” nga Malisheva dhe se projekti në vlerë 9,870 euro i plotësonte kushtet për përdorim sado që firma, “nuk i kishte kryer punët sipas kritereve të kërkuara me kontratë”.

Në këtë rast, po akuzohet edhe drejtori i Urbanizmit në komunën e Malishevës, Islam Vranezi, i cili së bashku me Valdete Morina, në cilësinë e menaxherit të projektit të kanalizimit dyshohet se kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës.

Ata kishin rekomanduar që firmës kontraktuese t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Në bazë të këtyre veprimeve të pandehurit Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vranezi, Valdete Morina, dyshohet se kana kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Në këtë rast përfshihen edhe veprime të personave të tjerë.

“I pandehuri Remzi Mazreku gjatë muajit tetor 2018 në Malishevë, në cilësinë e personit përgjegjës të Operatorit ekonomik N.T., “Flamuri”, në Malishevë, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, ku pasi ka fituar kontratën për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë, nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, kështu duke i shkaktuar Kontraktuesit, Komunës së Malishevës dëm material në vlerë prej 9.870,18 euro”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë të muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas këtyre veprimeve Remzi Mazreku, si përgjegjës i operatorit ekonomik N.T. “Flamuri” në Malishevë dyshohet për veprën penale të veprimtarisë së pandërgjegjshme ekonomike.

Edhe zyrtari Çlirim Karaqica, dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në drejtorinë për Urbanizëm, në komunën e Malishevës.

“I pandehuri Çlirim Karaqica, më 12.02.2018, në cilësinë e personit zyrtar, në drejtorinë për Urbanizëm në komunën e Malishevës, ka keqpërdorur pozitën e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, për vete dhe të tjerët, bën përmasën edhe parallogaritë për shpuarje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit në gjatësi 55 metra, në vlerë prej 3500 euro, edhe pse në vendin e njëjtë ka ekzistuar e njëjta shpuarje horizontale, duke i shkaktuar komunës së Malishevës dëm material rreth 3500 euro”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë së Gjakovës.