Të pavërtetat për 'aktakuzën për vrasjen e Liridona Ademajt'

Gjatë fundvitit verifikuesit e fakteve kanë vazhduar të identifikojnë materiale të pasakta, për njërin prej proceseve penale i cili ka zgjuar interesin e publikut.

Vrasja e Liridona Ademajt tronditi vendin dhe hetimi i këtij  rasti është shndërruar në një rast me interes të lartë për publikun, për shkak të rrethanave të vrasjes. Mirëpo, në analizimin e përmbajtjeve mediale janë konstatuar defekte në raportimet për këtë rast penal.

24.10.2024, portali “News 24” (Arkiv) ka publikuar një artikull në të cilin flitet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Artikulli përmban të pavërteta për statusin juridik të rastit dhe për Vendimin e Gjykatës në këtë rast.

“Akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, Gjykata e Prishtinës lë në burg Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët.” – thuhet në përshkrimin që ka bërë portali në fjalë, për këtë rast.

Ky raportim ka pasaktësi elementare, pasi Vendimi i Gjykatës nuk është nxjerrë në bazë të një Aktakuze, por në bazë të një Kërkese për vazhdim të paraburgimit. Prokuroria e Shtetit, në këtë rast, ka konfirmuar se deri më 25 dhjetor 2024 nuk ka një Aktakuzë, në këtë rast.

Hulumtuesit për të konfirmuar një gjë të tillë kanë konfirmuar me Prokurorinë e Prishtinës, për të parë nëse Prokuroria ka arritur të ngritë Aktakuzë.

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se çështja është akoma në fazën e hetimeve dhe se do të njoftoheni me kohë për përfundimin e kësaj çështjeje.” – është përgjigja zyrtare, që kanë pranuar hulumtuesit nga Prokuroria e Prishtinës.

Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt janë të dyshuar tre persona: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Rasti gjendet ende në fazën e hetimeve dhe Kodi i Procedurës Penale ka paraparë kohëzgjatjen prej 3 vjetëve, që e ka në dispozicion Prokuroria për ngritje të Aktakuzës.

“1. Nëse hetimi është filluar, ai përfundon brenda dy (2) vjetëve. 2. Në bazë të Kërkesës së Prokurorit të Shtetit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga Paragrafi 1, i këtij Neni deri në një (1) vjet, kur Prokurori i Shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të Prokurorit të Shtetit.” – thuhet në Nenin 154 të Kodit të Procedurës Penale.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2024, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Gjykata e Prishtinës ua kishte vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit: Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 2023. Liridona Ademaj ishe gruaja e të dyshuarit, Naim Murseli.

Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Më 03.12.2023, Gjykata e Prishtinës ua kishte caktuar për herë të parë masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, përkatësisht Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës.

Më 17.04.2024, Gjykata Supreme kishte vendosur që i dyshuari i katërt, i cili – sipas Prokurorisë – është i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, T. D. do të mbrohet në liri.

 

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – me aludim në vrasjen e Ademajt.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi Naim Murselin kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas Kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Raportimet e KALLXO.com – LINK