Të gjitha zvarritjet në gjykimin e Haki Rugovës për tenderin që e fitoi kompania e vëllait të tij

Aktakuza për konflikt interesi ndaj Haki Rugovës është ngritur me mars të vitit 2018, ndërsa vetëm pas 298 ditëve, më 17 janar 2019, Gjykata e Pejës arriti ta mbajë shqyrtimin fillestar duke shkelur kështu në mënyrë flagrante afatet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës për procedim të rastit.

Kanë kaluar 666 ditë qëkur Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën kundër Haki Rugovës, e qe Gjykata e Pejës ka arritur të mbaj vetëm një seancë të shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit Rugova.

Gjykata në Pejë katër herë radhazi ka caktuar seancën fillestare, duke përfshire këtu periudhën kohore prej tetë muaj që nga ngritja e aktakuzës për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, mirëpo, nuk ka arritur të mbajë as edhe një seancë, në të cilën Rugova do të deklarohej lidhur me aktakuzën e Prokurorisë.

Seanca e parë fillestare është mbajtur me 17 janar 2019, ku i akuzuari Haki Rugova është deklaruar i pafajshëm për veprën penale qe i vihet në barrë.

Nënkryetari i LDK-së deklarohet para Gjykatës rreth fajësisë mbi akuzat për konflikt interesi

Më 21 Mars 2019 është mbajtur seanca për kundërshtimin e aktakuzës.

Gjykata e Pejës më 8 prill 2019, e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugovës, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Pas raportimit të Drejtësia në Kosovë Haki Rugova do të gjykohet për konflikt interesi

Në qershor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugova, për veprën penale “Konflikti Interesi”.

Gjykata e Pejës ka vazhduar shqyrtimin gjyqësor më 23 tetor 2019, ku janë dëgjuar 5 dëshmitarë, menaxherja e zyrës së prokurimit në këtë komunë, avokati publik i Komunës së Istogut, dhe tre anëtarët e komisionit vlerësues.

Haki Rugova ulet në bankën e të akuzuarit

Më 10 dhjetor 2019, dështoi të mbahet seanca, për shkak të mungesës se prokurorit dhe të akuzuarit.

Prokurori e Haki Rugova nuk vijnë në gjykim, dështon seanca

Edhe sot për shkak të mungesës se prokurorit ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore.

Kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj tha se prokurori e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë ‘për shkak të angazhimit në një çështje tjetër penale‘ duke kërkuar që të shtyhet seanca.

KALLXO.com mëson se prokurori nuk ka ardhur në seancën kundër Rugovës për shkak të një seance tjetër për vepër penale të narkotikëve, edhe pse seanca kundër Rugoves ishte caktuar me 10 Dhjetor të vitit të kaluar.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.