Të dyshuarës për vrasjen e kunatës në Kuk të Dragashit i vazhdohet paraburgimi

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar edhe dy muaj paraburgimin N. A., e dyshuar për vrasjen e kunatës në fshatin Kuk të Dragashit.

67-vjeçarja S. D., u gjet e vdekur më 27 dhjetor 2022, në shtëpinë e saj në fshatin Kuk.

Sipas Prokurorisë, N. A., me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare.

Rasti ka ndodhur derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, ku e pandehura sipas prokuroris e ka goditur me mjete të forta.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, paraburgimi do t’i llogaritet deri më datë 27 mars 2023.

Sipas Gjykatës janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

“Duke marrë parasysh peshën e veprës penale ku nga goditjet e marra disa herë me mjet të fort viktima ka gjetur vdekjen, mënyra si e ka kryer veprën penale-duke e goditur viktimën me mjet të fort, rrethanat nën të cilat është kryer vepra, sjellja e mëparshme ndaj viktimës ku është ushtruar dhunë e pandrprerë një kohë të gjatë-andaj Gjykata vlerësoi se me lënien në liri e pandehura mund të kryej vepra tjera penale të kësaj natyre”- thuhet mes tjerash n vendim.

Sipas dosjes, më datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, e dyshuara e mllefosur për shkak të papastërtisë s viktimës e cila ishte e shtrirë në një dhomë të shtëpisë me një dru ahu, me një pjesë të laminatit dhe me një dërrasa të llamperisë e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe fytyrë dukei shkaktuar gjakderdhje në tru.

Sipas Prokurori e njëjta ka ndërruar jetë më datë 26 dhjetor 2022, rreth orës 05:30.

N. A., po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

E dyshuara ka pranuar para Policisë se e ka goditur për vdekje kunatën 67-vjeçare.

Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.

Togeri Bytyqi ka thënë se pas ballafaqimit me prova e dyshuara N. A. ka pranuar se e ka goditur me mjete të cilat më pas i ka fshehur.

“Lidhur me rastin në fjalë, pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor të trupit të pajetë të viktimës nga IML, policia ka vazhduar hetimet. Është riintervistuar kunata e viktimës në cilësinë e të dyshuarës, e cila pas ballafaqimit me prova të reja e ka pranuar se ka kryer vrasjen dhe mjetet me të cilat e ka kryer vrasjen i ka fshehur” – ka konfirmuar Bytyqi.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.