Të dënuarit për trafikimin e mbi 55 kg marihuanë nga Shqipëria në Kosovë kërkojnë nga Apeli t'ua zbusë dënimin

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohet rasti i katër të akuzuarve të dënuar nga Gjykata e Prishtinës me gjithsej 12 vjet e 10 muaj burgim dhe 37 mijë e 500 euro gjobë.

Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati akuzohen nga Prokuroria Speciale për trafikimin e narkotikëve të llojit marihuanë në sasi prej 55 kilogramësh nga Shqipëria në Kosovë.

Të akuzuarit janë Shqipëria, e njëri prej tyre, Vegim Esati, ka edhe shtetësi të Serbisë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykata e shkallës së parë i akuzuari Adam Nezaj, i cili kishte pranuar fajësinë, është dënuar me 2 vjet e dhjetë muaj burg si dhe 7 mijë euro gjobë, Islam Basha me 3 vjet e 6 muaj burgim si dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërsa i pandehuri Lavdërim Osmani është dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim si dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Vegim Esati për shitje të paautorizuar të narkotikëve është dënuar me 3 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa për armbajtje pa leje është dënuar me 500 euro gjobë.

Gjobat të pandehurit ishin obliguar që t’i paguajnë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, Gjykata ndaj katër të akuzuarve ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, duke konfiskuar 55 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Kurse nga i akuzuari Adam Nezaj, me vendim të Gjykatës, janë konfiskuar vetura “Citroën”, dy telefona mobilë dhe para të gatshme në vlerë prej 2.573 euro dhe 750 lekë.

Ankesë kundër aktgjykimi të lartcekur ka bërë Prokuroria Speciale për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, ku sipas ankimimit ajo ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të pandehurve të shqiptohen dënime me të larta.

Përfaqësues nga prokuroria e Apelit nuk ka pasur në seancë ndërsa nga arsyet se përse do të duhet t’u rritej dënimi të pandehurve ishte se vepra penale për të cilat janë shpallur fajtorë të pandehurit janë gjithnjë në rritje, për çka sipas Prokurorisë pikënisje e dënimit ndaj të pandehurve duhej të ishin shtatë vite.

Kurse zbutjen e dënimit për të pandehurit, lirimin e tyre apo eventualisht kthimin e lëndës në rigjykim nga Gjykata e Apelit e kanë kërkuar të akuzuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës.

Avokati Naim Rudari, i cili në këtë rast e përfaqëson të pandehurin Adam Nezaj, ka thënë se sipas tij ndaj të pandehurit është dashur që sipas rrethanave, në veçanti asaj të pranimit të fajësisë t’i shqiptojë një dënim më të butë dhe më të lehtë në raport me atë që i kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Kurse avokati Ahmet Tahiri, i cili mbron të pandehurin Lavdërim Osmani, ka bërë ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi sanksionin penale dhe ka propozuar që Gjykata ta aprovojë këtë ankesë dhe ta ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës ashtu që Osmani të lirohet nga akuza ose çështjen ta kthejë në rivendosje.

Gjithashtu, ankesë ka parashtruar edhe avokati Skender Musa për të akuzuarin Vegim Esati për të gjitha bazat e ankesës dhe ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të pandehurin ta lirojë nga akuza për dy pikat e aktakuzës dhe t’i kthehen pronat e konfiskuara.

Edhe avokati Betim Shala, mbrojtës i të akuzuarit Islam Basha, është ankuar për të gjitha bazat ankimore me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e gjykatës themelore ashtu që të pandehurin ta lirojë nga akuza apo që ta anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthejë në rigjykim.

Kolegji gjykues i drejtuar nga Kreshnik Radoniqi kryetar dhe Vaton Derguti e Milan Bigoviq pas dëgjimit të të gjitha palëve ka njoftuar se për vendimin palët do të njoftohen përmes gjykatës themelore.

Prokuroria Speciale në akuzën e saj ka përshkuar veprimet e të pandehurve përmes së cilave ata kishin kryer veprat penale.

Sipas Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani në qershor të vitit 2019 ishin takuar në Tiranë ku ishin marrë vesh që të përgatisnin terrenin për drogën që do ta sillte i akuzuari Adam Nezaj nga Shqipëria në Kosovë.

Ndërsa i akuzuari Vegim Esati kishte për detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të Policisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Adam Nezaj një ditë më vonë kishte hyrë në territorin e Kosovës me veturën e tipit ‘’Citroën C8’’ me ngjyrë të zezë.

Ai ishte takuar me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin e kishte dërguar i pandehuri Mustafë Esati në ‘’Viva Fresh’’ në Prishtinë, dhe pasi bisedojnë mes vete të akuzuarit Adam Nezaj dhe Lavdërim Osmani janë nisur me të njëjtën veturë për në shtëpinë e të pandehurit Mustafë Esati që gjendet në Lipjan, ku edhe takohen me dy të akuzuarit e tjerë, Islam Basha dhe Vegim Esati.

Pastaj kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së të pandehurit Mustafë Esati ku gjendej vetura e tipit ‘’Pickup’’ dhe nga vetura ‘’Citroën’’ e të akuzuarit Adam Nezaj zbrazin sasinë e narkotikut të cilën e ngarkojnë në veturën ‘’Pickup’’.

I pandehuri Nezaj ishte nisur me veturën e  tij në drejtim të Lipjanit, ndërsa i pandehuri Musatafë Esati me veturën e tij BMW X3, ishte nisur në drejtim të depos së tij ku me t’u afruar në oborr të depos  derisa Policia kishte hyrë në depo për kontroll i akuzuari Vegim Esati kishte thënë “Ikni, Policia!”.

Policia e Kosovës me rastin e kontrollimit në vendin e ngjarjes  kishte gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë narkotikë të llojit marihuanë dhe në të njëjtën kohë kishin arrestuar të akuzuarit Islam Bashën në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë, Lavdërim Osmanin dhe Vegim Esatin e pak orë më vonë ishte arrestuar edhe Adam Nezaj në territorin e Gjakovës.