Shpallja e aktgjykimit për krime lufte ndaj Nenad Arsiq

Të dënuarit për krime lufte, Nenad Arsiq, i refuzohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë

Gjykata më e lartë e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e Nenad Arsiqit për mborjtje të ligjshmëirsë ndaj dënimit për krime lufte.

Nenad Arsiq është i akuzuari i Prokurorisë Speciale për krimet e luftës ndaj popullatës civile në Kosovë.

Nenad Arsiqi u dënua me 6 vjet burgim nga Gjykata e Prishtinës për këto krime.

Dënimin prej 6 vjetësh burgim ndaj Arsiqit e ka vërtetuar edhe Apeli më 12 maj 2021 kur refuzoi ankesat si të pabazuara.

Ndaj këtyre aktgjykimeve kishte parashtruar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë avokati Dejan Vasiq, i cili kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të ndryshojë aktgjykimet e gjykatave më të ulëta dhe ta lirojë Arsiqin nga akuza për krime lufte.

Zyra e kryeprokurorit më 10 korrik 2021 ka kërkuar që kjo kërkesë të refuzohet si e pabazuar.

Supremja ka gjetur se pretendimi i mbrojtësit të të dënuarit, është i pabazuar, ngase aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk përmbajnë shkelje të cilat pretendohen në kërkesë.

Sipas Gjykatës Supreme, mbrojtësi i të dënuarit në kërkesën e tij në asnjë pjesë të kërkesës nuk konkretizon shkeljet e pretenduara, por vazhdimisht potencon aspekte të gjendjes faktike të theksuara nga ana e gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore.

Gjykata Supreme ka gjetur se gjykata e shkallës së parë si gjykatë e faktit në mënyrë të gjithanshme ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të gjitha provat e administruara dhe po ashtu edhe përkitazi me mbrojtjen e të dënuarit.

Gjykata Supreme po ashtu ka arsyeruar se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është refuzuar si e pabazuar pasi e njëjta nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës, Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Kujtojmë  se Gjykata kishte njoftuar në seancën e kaluar se më 1 dhjetor ka pranuar aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurit Nenad Arsiq, nga Prokuroria Speciale, ku i akuzuari, tani nuk do të gjykohet për dy vepra penale por vetëm për një vepër penale.

Prokurorja Shamolli, kishte thënë se ka ndryshur aktin akuzues sa i përket cilësimit juridik të veprave penale.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pasi i akuzuari Arsiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë ç’njerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit.

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes së gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas Prokurorisë, nga familja Shala pjesëtarët e Policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuçi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.