Foto: KALLXO.com

Të dëmtuarit identifikojnë në Gjykatë njërin prej grupit prej 4 personave që u grabitën para

Në Gjykatën e Pejës sot është mbajtur gjykimi kundër 4 të akuzuarve për grabitje të 8 mijë e 543 eurove.

Norik Hashani, Fatlum Bytyqi dhe Leotrim Bajselmanaj, akuzohen se më 22 janar 2019, duke vepruar si anëtarë të grupit dhe me përdorim të armës, kanë marrë shumën në vlerë prej 8 mijë e 543 euro prej punëtorëve të “Viva Fresh” në Deçan, Albiana Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj.

Sot në seance gjyqësore janë dëgjuar të dëmtuarit Albiana Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj.

“Ky me mjekër”, tha sot e dëmtuara Albiana Ramosaj, pas vrojtimit të 4 të akuzuarve, duke iu referuar të akuzuarit Bajselmanaj, si personi që ia kishte marrë çantën me të holla.

“Personi qe m’u ka afruar nuk ka pasur maskë, ka qenë pak i plotë, nuk më kujtohet shumë mirë fytyra e tij”, tha Ramosaj para ballafaqimit të drejtpërdrejt me të akuzuarit.

I dëmtuari Valon Bozhdaraj po ashtu pas shikimit të drejtpërdrejt tha se me gjasë i akuzuari Leotrim Bajselmanaj është personi lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në ditën kritike.

Bozhdaraj rrëfeu para trupit gjykues se nuk i besohet se si kjo ngjarje ka mundur t’i kushtojë me jetë.

Seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar nesër me dëgjimin e dëshmitareve të tjerë.

Shënim: Më 07.09.2023 është larguar emri i njërit nga të akuzuarit për arsye se ka ofruar dëshmi se është shlyer nga evidenca e dënimeve penale.