Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Të bashkakuzuarit me Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin gjykata i caktoi paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë të pandehurit Ekrem Lika, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit. I akuzuari Lika ishte arrestuar me 18 prill 2020.

Aktakuza ndaj Likajt thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit përmes Kadri Rexhepit duke i marrë shumën e të hollave në vlerë prej rreth 810 mijë euro.

I pandehuri Lika, gjendej në arrati që nga fillimi i gjykimit të kësaj çështje penale.

Në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndër të tjera thuhet se nëse i pandehuri Ekrem Lika, po të jetë në liri ekziston rreziku i ikjes dhe mos paraqitjes së tij para organeve të drejtësisë, pasi që i njëjti ka qenë në kërkim nga organet e ndjekjes dhe deri në arrestimin e tij me datë 18.04.2020 nuk është paraqitur në organet e drejtësisë.

Tutje në vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhet se ekzistojnë rrethana të posaçme që tregojnë se nëse i pandehuri lihet në liri, do të ndikojë në dëshmitarët e mundshëm që kanë qenë në vendin e ngjarjes, andaj masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe efektive me qëllim të pamundësimit të përsëritjes së veprës penale nga ana e të pandehurit dhe zhvillimit të papenguar në këtë rast penal.

Për më tepër, Gjykata e Prishtinës, me datë 26 shkurt 2020, ka shpallur fajtor të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi,  me ç’rast Hashimi është dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 9 muaj, kurse me 3 vite burgim është dënuar i akuzuari  Rexhepi.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiake ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290.810.00 euro.

 

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim