Të akuzuarit për udhëtim për qëllime terrorizmi, deklarohen për fajësinë

 

Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça, të akuzuar për veprën penale, udhëtimi për qëllime terrorizmi, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, për veprën penale për të cilën akuzohen.

Mbrojtja e të akuzuarit Kreshnik Maqani, avokatja Fetije Uka, tha se aktakuza në fjalë nuk mbulohet me prova bindëse, të cilat duhet të kenë elementet e të një vepre penale.

“Duke u bazuar në pretendimet e Prokurorisë Speciale të aktakuzës në fjalë konsiderojmë se nuk mbulohet me prova bindëse, të cilat duhet të kenë elemente të një vepre penale aq të rëndë”, tha avokatja Uka.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Leonard Trepça, avokati Vahid Halili, tha se nuk ka asnjë provë të vetme që vërteton faktin se i mbrojturi i tij ka kryer atë vepër penale.

“Konsideroj se nuk ka asnjë provë të vetme që e vërteton faktin se, i mbrojturi im ka kryer vepër penale për të cilën akuzohet dhe besoj se në fund Gjykata do të marrë aktgjykim lirues”, tha avokati Halili.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça, kanë udhëtuar për qëllime terrorizmi, dhe se me datën 02.09.2019, përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, e kanë lëshuar vendbanimin e përhershëm të tyre, Republikën e Kosovës. Sipas Prokurorisë ata dyshohet se kanë udhëtuar për në Stamboll, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkëngjiten organizatave terroriste që veprojnë atje, ku kanë qëndruar deri me datën 06.09.2019.

Aktakuza thekson se të njëjtit pasi janë zënë nga autoritetet turke në kufirin Turqi-Siri janë arrestuar dhe me datën 17.12.2019 u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Me këtë Maqani the Trepça akuzohen se e kanë kryer veprën penale, udhëtimi për qëllime terrorizmi.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 28 janar 2021, në ora 9:30.