Të akuzuarit për tjetërsimin e pronës së ish RTP-së para gjykatës – 24.03.2021 – FOTO KALLXO – Fitim Limani
Të akuzuarit për tjetërsimin e pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës deklarohen për fajësinë
Lekë Prenaj, ish-gjykatës në Gjykatën e Prishtinës, Hilmi Kastrati, ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, Shkumbin Qehaja dhe Shpëtim Pllana, kanë dalë para gjykatësit në Ferizaj për t`u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.
Prenaj dhe Kastrati po akuzohen për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së rreme, kurse Qehaja dhe Pllana po akuzohen për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.
Ky rast ka të bëjë me tjetërsimin e pronës shoqërore në vlerë miliona euro në pronësi të ish Radio Televizionit të Prishtinës.
Në seancën e sotme, e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shukri Jashari, gjithë të akuzuarit thanë se nuk e pranojnë fajësinë lidhur me atë që Prokuroria e Prishtinës i ngarkon.
“Nuk e pranoj fajësinë pasi këtë që e kanë shkruar asnjëra nuk është ashtu. M`i kanë ngarkuar dy vepra por për asnjërën nga to nuk e pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Hilmi Kastrati.
Gjithashtu edhe të akuzuarit Shpëtim Pllana dhe Shkumin Qehaja thanë se nuk e pranojnë fajësinë, pasi sipas tyre nuk i kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.
Tutje edhe Lekë Prenaj i cili ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Prishtinës tha se nuk e pranon fajësinë.
“Për asnjërën nga veprat që më ngarkon Prokuroria nuk e pranoj fajësinë pasi asnjërën nga to nuk i kam kryer”, tha shkurt ish gjykatësi Prenaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Seanca e sotme u shty për kohë të pa caktuar për t`u dhënë mundësi të akuzuarve të bëjnë kundërshtimin e aktakuzës.
Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte marrë vendim me të cilin e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Lekë Prenaj.
Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati si person zyrtar, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij.
Sipas Prokurorisë i akuzuari Kastrati me 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në Lagjen Veternik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Hilmi Kastrati me 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën (tani i akuzuar), jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësoj N.Sh., Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën e Prishtinës edhe pse i akuzuari Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore e të paditurës N.Sh., Radio Televizionit të Prishtinës gjendet nën menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Tutje theksohet se i akuzuari Lekë Prenaj si person zyrtar, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare.
Sipas Prokurorisë Prenaj ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore, Radio Televizioni i Prishtinës edhe pse i akuzuari Lekë Prenaj e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, kurse për menaxhimin e këtyre pronave përgjegjëse është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Prenaj në shqyrtimin gjyqësor të datës 10 prill 2019, sipas padisë të 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi, (tani i akuzuari), Shkumbin Qehaja, ka nxjerrë Aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve, avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, Shkumbin Qehaja (tani i akuzuar), dhe Shpëtim Pllana në emër të paditurës N.Sh., Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar se pronari i ngastrës së lartcekur në Lagjen Veternik, është paditësi (tani i akuzuar), Shkumbin Qehaja edhe pse të gjithë të akuzuarit e kanë ditur se Qehaja nuk e ka të drejtën e pronësisë së asaj prone.
Sipas Prokurorisë deri te ndërrimi i titullarit të pronës ka ardhur pasi që i akuzuari Qehaja e ka përpiluar një autorizim (të cilin pastaj e ka nënshkruar edhe Hilmi Kastrati), me përmbajtje të pa vërtetë sipas të cilit Bordi i Drejtorëve të RTP-së, e ka autorizuar të akuzuarin Shpëtim Pllana që të lidhë pajtim gjyqësor me të cilin Shkumbin Qehaja do të bëhej pronar i ngastrës kadastrale e cila ka qenë në emër të RTP-së.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK