Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com

Të akuzuarit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit edhe dy muaj prapa grilave

Gjykata në Prishtinë u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tjerë gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit me 16 janar 2018 po akuzohen Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basaran.

Gjykata e Prishtinës, me gjyqtarin Valon Kurtaj, ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të akuzuarit Marko Roshiq, e konfirmoi për KALLXO.com, vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Halimi tha se paraburgimi u është vazhduar të gjithë të akuzuarve.

Poashtu Halimi shprehu shqetësimin se janë bërë 1 muaj e gjysmë që kur në gjykatë ka dërguar kundërshtimin për provat e akuzës dhe kërkesën për hedhjen e saj e ende nuk ka marrë vendim Gjykata.

Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzon Marko Roshiqin, Nedelko Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Radeta Basaran se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.