Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Të akuzuarit për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt Apeli ia rriti dënimin me burgim

Gjykata e Apelit përmes një vendimi ia ka ashpërsuar dënimin me burg Fisnik Lajqit, i cili akuzohej për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt, Mustafë Ahmetxhekaj.

Gjykata e Pejës i kishte shqiptuar Lajqit dënim me burgim prej 1 vit e 8 muaj dhe 800 euro gjobë për 3 vepra penale, tentim vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit këtë dënim e ka rritur në 3 vite e 8 muaj dhe 800 euro gjobë.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës i ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese, ndërsa ato rënduese nuk i ka vlerësuar objektivisht.

“Kolegji vlerëson se rrethanave të shpjeguara më lart nuk u është dhënë rëndësi në përcaktimin e dënimit dhe të njëjtat ndikojnë që dënimi të jetë me i ashpër dhe jo në kufijtë minimal, kolegji konkludon se gjykata e shkallës se parë ka vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, duke i mbipeshuar në përcaktimin e dënimit që ka rezultuar në një vendim mbi dënimin që nuk i përgjigjet perspektivës së arritjes se qëllimit të dënimit”, thuhet në arsyetim të Gjykatës së Apelit.

Apeli ka konsideruar se dënimi minimal shqiptohet në rastet dhe rrethanat kur kemi të bëjmë qartazi me mbizotërim të rrethanave lehtësuese në raport me ato rënduese, ku sipas saj nga faktet e çështjes konstatohet se nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë.

Lidhur me pretendimet e mbrojtësit se të akuzuarit Fisnik Lajqi, avokatit Gëzim Kollqaku, se i akuzuari ka qenë i provokuar nga i dëmtuari, dhe se i akuzuari është mbajtës i vetëm i familjes, këto pretendime nga Apeli janë marrë si të përgjithësuara dhe të pa individualizuara në raport me të akuzuarin konkret.

Andaj  edhe janë refuzuar si të pabazuara.

Ndërsa vendimi për të pandehurin Demokrat Lajqi është vërtetuar.

Sipas prokurorisë ditën kritike i akuzuari e kishte sharë Ramush Haradinajn, që i dëmtuari e ka dajë, dhe po të njëjtën ditë me revole nga afërsia nga prapa ka shtënë tri herë në drejtim të dëmtuarit ku me dy plumba i ka shkaktuar lëndime trupore.

Sipas aktakuzës i akuzuari Fisnik Lajqi më 10 tetor 2020 në Pejë me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mustafë Ahmetxhekaj.

Ndërsa Demokrat Lajqi akuzohej se në ditën kritike ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Mustafë Ahmetxhekaj, pasi që i pandehuri e sheh të dëmtuarin, i afrohet të njëjtit dhe nga pas e godet në kokë me grusht dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

I plagosuri në Pejë, familjar i ish-kryeministrit Haradinaj