Të akuzuarit për grabitje dënohen me nga 2 vite e 3 muaj burgim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve L. L. dhe K. Sh. nga Prishtina, të cilët akuzoheshin për grabitje në tentative dhe armë mbajtje pa leje.

Gjykata ka njoftuar se pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim unik për secilin të akuzuar në kohëzgjatje prej 2 vite e 3 muaj burgim dhe me nga 1000 Euro gjobë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, të akuzuarit më 14.05.2018,  rreth orës 22:15, në rrugën “Vëllezërit Maliqi”, në Gjilan, me anë të përdorimit të forcës dhe të kanosjes kanë tentuar që ta përvetësojnë pasurinë e huaj të luajtshme, me qëllim që t`i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që nën përdorimin e armëve dhe atë dy revole të kalibrit 7.65 mm, si mjete të rrezikshme, i dalin në rrugë të dëmtuarit A. H. gjersa ishte duke lëvizur me biçikletë.

Tutje Gjykata ka bërë të ditur se të akuzuarit kanë tentuar t’ia marrin  çantën me para të dëmtuarit. Pas kacafytjes, i akuzuari L. L. e nxjerrë revolen me gaz nga brezi duke shtënë në afërsi të tij gjersa ishin duke u kacafytur, duke e parë këtë gjendje se nuk po mundet t’ia kapë çantën me para, ndërhynë i pandehuri K. Sh., ashtu që me revolen e tij të kalibrit 7.65 mm, armë e vërtetë shtinë në afërsi të tij njëherë dhe e godet me kondak të revoles në kokë – fytyrë duke i shkaktuar lëndime trupore.

“I dëmtuari duke bërtitur afër shtëpisë së tij e dëgjon bashkëshortja e tij H. H., e cila mundohet t`i ofroi ndihmë bashkëshortit të sajë, ta tërheqë nga gjendja që ishte dhe duke bërtitur, ashtu që duke parë këtë situatë se nuk po munden që të arrijnë që t’ia kapin çantën e krahut që e kishte i dëmtuari, të akuzuarit ikin nga vendi i ngjarjes me një veturë ngjyrë e zezë dhe rasti mbetet në tentativë”, njofton Gjykata e Gjilanit.