Të akuzuarit për 29 kg drogë nuk arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

 

Rasti i dy të akuzuarve për 29 kg marihuanë, nuk është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë, marrëveshje kjo fillimisht e kërkuar nga të akuzuarit Albert Memia dhe Armand Muçaj.

Albert Memia dhe Armand Muçaj, po akuzohen për katër thasë të mbushura me marihuanë në peshë prej 29 kg e 317 gr, të transportuara nga Shqipëria në Kosovë, në muajin gusht të këtij viti.

Të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre Meshari Selimaj dhe Gëzim Kollçaku, në muajin e kaluar kishin kërkuar të hyjnë në negociata me Prokurorinë.

Gjakovë, kërkohet marrëveshje në gjykatë për katër thasët me marihuanë

Sot, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Ndërkaq gjykatësi Mentor Bajraktari, caktoi datën 12 shkurt për mbajtjen e seancën e radhës.

Albert Memia dhe Armand Muçaj po akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës.

Sipas aktakuzës, në ditën e 29 gushtit të këtij viti, dy të akuzuarit pas një marrëveshje nga fshati Mejdan i Tropojës përmes pikës kufitare Qafë Morinë kishin ardhë në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, e më pas janë parkuar te qendra tregtare “ETC”, në Gjakovë.

Substancën narkotike ata e kishin vendosur në veturën e tipit Mercedes, me qëllim të shitjes, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas të njëjtët janë ndalur nga Policia, pasi që Policia kishte informata që në veturën e Albert Memia ndodhet substanca narkotike.