Gjykimi për vrasje në tentativë - 28.01.2020

Të akuzuarit i kërkojnë falje personit që tentuan ta vrasin

 

Arianit Pllana, Belon Hyseni dhe Egzon Salihu, të akuzuar për tentimvrasjen e Emin Eminit, i kanë kërkuar falje këtij të fundit në seancën gjyqësore ku është dhënë fjala përfundimtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë më 31 tetor 2018, Arianit Pllana së bashku me Bleon Hysenin, Egzon Salihun dhe të miturin L. B., rreth orës 21:30 min. ishin përfshirë në një konflikt, fillimisht verbal, i cili kishte përfunduar me goditje me armë në këmbën e të dëmtuarit Emin Emini.

Pllana, Hyseni, Salihu së bashku me të miturin L. B., akuzohen nga Prokuroria e Mitrovicës, për kryerjen e veprës penale vrasje në tentativë.

Prokurori i rastit Naim Beka ka thënë para turpit gjykues së qëndron në tërësi pranë akuzës dhe se nga provat e lëndës është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, duke kërkuar që të njëjtit të dënohen sipas ligjit.

“Nuk është kontestuese se viktima Emin Emini me asnjë veprim nuk e kishte provokuar këtë situatë gjë që kjo shihet qartë edhe nga video inçizimi edhe nga procedimi i të dëmtuarve dhe dëshmitarëve dhe kjo pjesërisht provohet edhe nga deklaratat e të pandehurve. I propozoj gjykatës që të njëjtit t`i shpall fajtor dhe t`i dënoj sipas ligjit, duke marr parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, tha Beka.

Dënimin e të pandehurve e ka kërkuar edhe i dëmtuar Emin Emini.

Ndërsa mbrojtësit e të pandehurve Pllana, Hyseni, Salihu, avokatet Ali Rexha, Xhemajl Jusufi, Bashkim Mehana kanë kërkuar nga gjykata që të mbrojturit e tyre të mos dënohen për veprën penale “vrasje në tentativë“ por për “pjesëmarrje në rrahje”.

Kjo sipas avokatëve sepse nuk janë plotësuar kushtet për dënimin e të pandehurve, për veprën e vrasjes në tentative.

Kurse tre të pandehurit duke i mbështetur fjalët e mbrojtësve të tyre, poashtu i kanë kërkuar falje të dëmtuarit dhe familjes së tij.

Prokurori Naim Beka duke iu referuar fjalës përfundimtare të mbrojtësve ka thënë se: “Besoj shumë që gjykata me lehtësi do ta rrezojë tezën e mbrojtjes se kinse këtu kemi të bëjmë me veprën penale “pjesëmarrje në rrahje“, kur dihen elementet esenciale të kësaj vepre penale“, tha Beka.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare kryetari i trupit gjykues Sinisha Mandushiq, ka njoftuar se gjykimi për këtë rast ka përfunduar në tërësi, ndërsa shpallja e vendimit do të bëhet me 31 janar.

Në aktin e Prokurorisë shpjegohet se Emin Emini ishte duke lëvizur në rrugë me automjetin e tij së bashku me shokun e tij, Dren Mehmeti.

Të lartcekurve ua kishte zënë rrugën i mituri L. B., duke i thënë të dëmtuarit Emini që të vazhdoj më tutje sepse aty kishte kamera dhe në momentin kur viktima ndalet me veturë, aty i afrohet i mituri L. B., ia hap derën viktimës duke i thënë që ai të dal nga vetura.

Mehmeti dhe Emini që kishin qenë në veturë kishin dal nga vetura, ndërsa kishte filluar një komunikim verbal mes këtij të fundit dhe të miturit L. B. Në këtë situatë i pandehuri Bleon Hyseni, shprehet se “a t`i lom qety të dytë bir”, ndërkohë që Arianit Pllana iu kishte drejtuar Dren Mehmetit “Ik largohu se pe han edhe ti”, dhe në këtë situatë përderisa i mituri L. B. fillimisht e godet me grusht të dëmtuarin, poashtu në të njëjtën kohë e nxjerrë revolen e drejton në drejtim të të dëmtuarit dhe i dëmtuari me qëllim të mbrojtjes e kap me duar të miturin L. B. Me këtë rast i mituri nga kjo revole shkrep një herë dhe e godet të dëmtuarin Emin Emini në këmbën e majtë.

Në dosje të Prokurorisë sqarohet se dëmtuari rrëzohet në tokë, derisa tre të pandehurit tjerë edhe përkundër që i dëmtuari merr plagë në këmbë së bashku me të miturin L. B., vazhdojnë ta godasin në këmbë me grushte pjesëve të ndryshme të trupit ku të njëjtin e lënë të shtrirë për toke dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës i dëmtuari në pamundësi për t`u ngritur kërkon ndihmë dhe më pas i afrohet Armend Fejzullahu dhe ia lidh këmbën, ndërsa më pas kishte arritur autoambulanca dhe dërgohet në shtëpinë e shëndetit.

Më pas transferohet në qendrën emergjente në Prishtinë dhe rezulton se i njëjti kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit në këmbën e majtë, thyerjen e shumëfishte të këmbës, që janë trajtuar si lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin. Me këtë të akuzuarit në bashkëkryerje me të miturin L. B. akuzohen kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Prokurori dhe i akuzuari nuk vijnë në gjykatë, dështon seanca për plagosjen me armë

.