Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Të akuzuarin nuk e lejuan të hyjë nga Serbia në Kosovë, dështon seanca për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Seanca gjyqësore për keqpërdorimin e detyrës zyrtare ndaj doganierit Marko Mlladenoviq dhe ish doganierit Bekim Gashit për lejimin e kontrabandimit të një kamioni me mallra kozmetike ka dështuar të mbahet.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seanca sipas burimit të KALLXO.com ishte moslejimi i hyrjes në territorin e Kosovës të akuzuarit Filip Filipoviq, i cili ishte nisur nga Beogradi.

Po ashtu në seancën e sotme kishte munguar edhe i akuzuari Milan Stojanoviq për të cilin gjykatësi Bekim Veliu ka lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë.

Filipoviq dhe Stojanoviq akuzohen për shmangiet nga pagesat e detyrueshme doganore.

Gjykatësi i rastit, Bekim Veliqi në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës caktoi datën 15 qershor për seancën e radhës.

Sipas aktakuzës dy doganier njëri serb e tjetri shqiptarë po përballen me një akuzë për tolerim të kontrabandës në veriun e Kosovës gjatë vitit 2014-të.

Doganieri Marko Mlladenoviq dhe ish-doganieri Bekim Gashi akuzohen se nuk kanë zhdoganuar një kamion me mallra kozmetike si brisqe të rrojës (zhileta), detergjent dhe pelena.

Sipas aktakuzës dëmi nga ky mos zhdoganim për buxhetin e Kosovës është në vlerë prej 12,622 euro.

Me këtë në bashkëkryerje akuzohen se në shtator të vitit 2014 kanë kryer veprën penale të shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.