Ministri Abelard Tahiri - Foto: Ministria e Drejtësisë

Tahiri: Emërimi i noterëve të rinj është legjitim dhe duhet të ndodhë

Ministri i Drejtësisë në largim, Abelard Tahiri ka reaguar kundrejt Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë e cila i ka bërë thirrje qeverisë në largim që ta pezullojë procesin e emërimit të noterëve të rinj deri në krijimin e qeverisë së re.

Tahiri përmes kësaj komunikate ka deklaruar se përkundër thirrjes së zyrës së BE-së në Kosovë e cila ka kërkuar që ky proces të pezullohet, sprocesi i emërimit të noterëve është proces legjitim i cili duhet të ndodhë.

“Sot përballë ftesës së Zyrës së BE-së për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, si Ministër i Drejtësisë vlerësoj se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve jo shumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë”, shkruan Abelard Tahiri.

Sipas Tahirit pezullimi i këtij procesi do të binte ndesh me ligjin për shkak se sipas tij secili nga kandidatët e suksesshëm e kanë të drejtën e tyre ligjore që të emërohen si noterë.

“Për më tepër, secili nga kandidatët që është testuar dhe ka kaluar fazat e provimit, ka fituar një të drejtë ligjore të cilën unë nuk mund ta hedhë poshtë në mënyrë arbitrare. Një veprim i tillë, do të ishte mesazhi më i rëndë për sundimin e ligjit. Kemi punuar shumë që të vendosim standarde të mirëfillta të barazisë para ligjit dhe mos cenimit të së drejtës së individëve të lirë të kësaj shoqërie që përfitojnë statusin e tyre në mënyrë legjitime dhe mbi bazën e ligjit”, thuhet më tej në komunikatën për media.

Tutje Abelard Tahiri shkruan se procesi i emërimit të noterëve të rinj është proces i realizuar konform ligjit dhe jo sipas ujdive politike.

“Ky postulat i domosdoshëm, nuk është subjekt i ujdive politike të askujt dhe të asgjëje. Nuk ka asnjë garanci, as nevojë dhe as arsye që një proces i tillë i nisur dhe realizuar në mënyrë legjitime, të lihet anash e të mos marrë epilog, së paku për ato raste që janë emergjente. Për njohuri të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj se ky proces do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas ministrit të drejtësisë në largim, procesi i emërimit të noterëve është një proces i cili ka filluar shumë më herët, para rënies së qeverisë Haradinaj dhe jo proces i nisur aty për aty.

Abelard Tahiri deklaron se testimi i kandidatëve për noterë është bërë në Akademinë e Sigurisë Publike nën vëzhgimin e kamerave, ndërsa testi është përpiluar nga anëtarët e Komisionit Profesional, vetëm një orë para mbajtjes së provimit, duke shmangur çdo mundësi për konflikt të interesit.

“Në përputhje me rrethanat, anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Noterisë kanë shmangur konfliktin e interesit, gjë që është konfirmuar tashmë nga institucioni kompetent për këtë çështje, Agjencia Kundër Korrupsionit me opinionin që kanë dorëzuar tashmë pranë Ministrisë së Drejtësisë”, shkruan Tahiri.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalur me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.