Supremja refuzon kërkesën ndaj ish-zyrtares së i ‘FINCA’-s

 

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit Ndrec Dodaj, mbrojtës i Merita Shehu, ish-zyrtare e “FINCA”-s, e akuzuara për përvetësim të mbi 23 mijë eurove nga “FINCA”-s, e cila u shpall fajtore nga Gjykata e Gjakovës.

Shehu u dënua me 12 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë. Po ashtu gjykata e obligoi që shumën prej 23,977.60 euro, t`ia kompensojë institucionit financiar “FINCA”.

Këtë vendim me burgim efektiv të shkallës së parë e ka lënë në fuqi Gjykata Supreme.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarës Shehu duke pretenduar se i njëjti është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal. Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar si të pabazuar këtë ankesë.

Ndonëse i pakënaqur avokati Dodaj me vendimet e dy instancave, i njëjti paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Në kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Dodaj kishte propozuar që Gjykata Supreme ta aprovojë si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të anulojë aktgjykimet e dy instancave paraprake dhe çështjen ta kthejë në gjykatën e shkallës së parë në rivendosje.

Kjo kërkesë megjithatë është refuzuar nga, kolegji i Gjykatës Supreme në përbërje nga gjyqtarët Valdete Daka, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se pretendimi i mbrojtësit të të dëmtuarës, është i pabazuar, pasi që aktgjykimet kundër të cilave ka parashtruar kërkesë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje tjera të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, siç pretendohet.

Gjykata Supreme ka vlerësuar po ashtu se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor duhet shikuar në tërësinë e saj dhe nga kjo del se nuk qëndrojnë pretendimet e theksuara se në rastin konkret janë cenuar të drejtat e të dënuarës gjatë zhvillimit të procedurës penale meqë është zhvilluar një proces gjyqësor i rregullt dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.

Merita Shehu si arkëtare në institucionin mikrofinanciar, ‘FINCA’, në degën në Rahovec, akuzohej nga Prokuroria se ka marrë shumën e të hollave prej 14 mijë e 200 euro, e poashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9 mijë e 777 mijë euro.